A mundet i pakorruptuari të mposhtë sistemin e poshtër? - Gazeta Express
string(60) "a-mundet-i-pakorruptuari-te-te-mposhte-te-sistemin-e-poshter"

Ermal Mulosmani

06/05/2020 16:38

A mundet i pakorruptuari të mposhtë sistemin e poshtër?

Ermal Mulosmani

06/05/2020 16:38

“Nuk ka asnjë sistem perfekt, por, cilido sistem, sado i poshtër të jetë  nuk mund ta mposhtë një njeri të ndershëm”.

Kjo fjali që e lexova nëpër rrjetet sociale u bë shkak për këtë shkrim. Vërtet, a është e mundur që i ndershmi dhe i drejti ta mundë sistemin dhe të veprojë i pavarur nga interesat e tij (sistemit)? Deri para pak kohe mendoja se po, është e vërtetë. Një individ me integritet moral, i pakorruptuar dhe i pavarur nga politika mund të ishte pjesë e sisitemit dhe sistemi nuk kishte çfarë t’i bënte.

Lexo Edhe:

Tashmë mendoj krejt të kundërtën. Kjo gjë nuk është e mundur dhe ky është zhgënjimi më i madh nga Reforma në Drejtësi.

Dy muaj të shkuar, bash në ditët e fillimit të Koronavirusit, në shtyp, lexova për shkarkimin e Prokurorit Arben Dollapaj, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nga Komisioni i Apelit të Vetingut. Mbeta me gojë hapur dhe i zhgënjyer, plotësisht i zhgënjyer. Deri atëherë kisha shkruar disa herë për çështjen e Reformës në Drejtësi duke kritikuar padrejtësitë e vërejtura, standartet e dyfishta të përdorura në gjykimet e vetingut por thellë brenda vetes isha i bindur që “Mundet ndonjë i korruptuar t’i mbijetojë vetingut por kurrë një i pakorruptuar të ndëshkohet nga vetingu”. Pra pak a shumë si ai komentuesi në rrjetet sociale. Një farë ndikimi për këtë gjykim më kishte dhënë pikërisht vetingu i Arben Dollapajt në shkallën e parë, në Komisinin e Pavarur të Kualifikimit. Komisioni e kishte kaluar “të pastër” në të gjitha komponentet e kontrollit.

Citoj pjesë nga lajmi i Top Channel me 05 Gusht 2018:

“Komisionerët thanë se prokurori Arben Dollapaj ka punuar me ndershmëri dhe ka ruajtur të pastër figurën e prokurorit, një konstatim ky që tregon se raste si ai i Arben Dollapajt i detyron edhe vetë komisionerët të mos kursehen me fjalë të mira”.

Në atë ditë sidomos e forcova bindjen se i pakorruptuari në kuptimin e plotë të kësaj fjale i mbijeton edhe sistemit më të poshtër. Ishte një ogur i mirë për Reformën në Drejtësi.

“Për një ditë si kjo ia vlen të investosh profesionalisht dhe moralisht” thashë me vete.

Arben Dollapajn e njoh prej fëmijërisë, jemi rritur bashkë. Gjithë ato fjalë e ai vlerësim i KPK-së së Gushtit 2018 ishin absolutisht të merituara. Ai djalë (burrë) punoi me dinjitet dhe arriti përmes punës të fitojë respektin e kolegëve. Ishte Prokuror i Lushnjës së ditëve më të vështira, ishte Prokuror i Durrësit problematik, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme për shumë vjet. Ishte po ai Arben që njoha në shkollën e mesme kur rrinim bashkë, i qetë, korrekt, i respektuar por mbi të gjitha, i pakorruptueshëm. 

Mbaj mend një rast të kohëve të shkuara, kur ishte Prokuror i rrethit Durrës. Një mik i imi i atyre kohëve, biznesmen, më kërkon të ndërhyj për një takim me Dollapajn. “Patjetër” – i thashë, “sot po e marr në telefon dhe nesër do të të presë në zyrë”.

Miku im që më kërkoi të ndërhyja ishte mik gjithashtu i shumë politikanëve të shquar të Shqipërisë, rrinte me ta nëpër dreka e darka të pafundme, fliste me ta si i barabartë, madje shpesh edhe u hakërrehej. Pasdite e mora në telefon Arbenin dhe i thashë: “Filani do të të takojë nesër se ka një punë”. Pasoi një pauzë pak sekonda dhe më tha: “Ermal, unë nuk mund ta takoj atë person. Kurrë në jetën time nuk kam pranuar të takoj dikë për të cilin kam informacion se është i përfshirë në një çështje penale”.

Unë u mërzita, pse dreqin i dhashë fjalën mikut, unë e njihja Arbenin që nuk ha pykë. Nga ana tjetër thoja me vete “Po ky rri gjithë ditën me politikanët kryesorë si mund ta dija unë që është i përfshirë në afera penale”…

Më dha mësim të mirë Arbeni.

Për të mos folë qesim, si i thonë, u futa dhe lexova 22 faqet e ankimuesit Florian Ballhysa, personit që e ankimoi çështjen në KPA.  Pasi e lexova me detaje u binda plotësisht që shkarkimi është i motivuar nga arsye tjera përtej atyre që shkruheshin aty. Arbeni ka një shtëpi në Tiranë, në një zonë periferike. Ajo shtëpi 2+1 katëshe (shumë tropojanë e dinë shumë mirë që atë shtëpi e kanë sponsorizuar në fund të viteve ‘90 tri motrat e Arbenit që jetojnë në Amerikë dhe që janë në gjendje shumë të mirë ekonomike) është për dy vëllezërit dhe Arbeni ka në pronësi një sipërfaqe 113 m katrorë. Përveç kësaj shtëpie, Dollapaj ka trashëguar në Valbonë edhe një tokë mbi të cilën gjithë pasardhësit (4 motra dhe dy vëllezër dhe nëna e tyre) ndërtuan një godinë trekatëshe. Unë e kam vizituar atë bujtinë të mrekullueshme. Pjesa e bujtinës është e vëllait, motrat kanë sipërfaqet e tyre dhe Arbeni kishte një dhomë e një kuzhinë me hyrje nga e majta e saj. Gjithçka ishte e pasuvatuar akoma, ishte e vetmja pjesë e pambaruar e ndërtesës. Takova edhe të ëmën e Arbenit e cila më tha: “Nuk pranon t’ia përfundojmë, më thotë kur të kem mundësi do ta rregulloj”… Nuk po dija se çfarë të shtoja. Me vete po thoja “A ia vlen të jesh kaq kokëfortë në mbrojtje të dinjitetit edhe nga njerëzit e tu”?

Tani që i lexova 22 faqet e relacionit të Komisionerit Ballhysa jam i sigurtë për padrejtësinë e shkarkimit të Arben Dollapajt. Ai kurrë nuk u bë pjesë e klaneve, kurrë nuk u përzie me politikën, gjithmonë u përpoq të respektonte ligjin, profesionin dhe moralin. Përkundrazi u përplas me politikën në rastin e Gërdecit (kërkoi dënime të forta) dhe me Prokurorin famëkeq Llalla që e degdisi në Shkodër pikërsiht për këtë punë.  Fitoi besimin e të gjithë kolegëve prokurorë për të qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ku veproi sipas të njëjtave kritere që kishte vepruar gjithmonë.

Por u shkarkua bash për atë cilësi që e spikati ndër të gjithë, integriteti dhe pavarësia profesionale.

Për ta mbyllur, Komisioneri Ballhysa, përmendte në relacionin e tij 22 faqësh edhe një qokë prej 200 dollarësh që vjehrri i Dollapajt i kishte lënë vajzës së tij me rastin e hyrjes në shtëpinë e re. Sipas Ballhysës, vjehrri i Dollapajt nuk kishte mundësi financiare të linte një qokë të tillë. Deri këtu kishte shkuar mungesa e skrupujve. Harrova, nuk ishte kjo më e keqja. Më e keqja ishte votimi unanim i të gjithë anëtarëve të Komisionit të Apelit. Kështu mbyllet qarku. Formula “Po të ishte kaq i ndershëm pse nuk e votoi një po por të gjithë kundër” do të përdorej për çdo kundërshtues potencial…

Tasmë unë jam i bindur. Reforma në Drejtësi është veçse mekanizmi për të larguar ata që nuk korruptohen dhe për të mbajtur në sistem ata që na duhen.