A mund të qeveriset me Kosovën? - Gazeta Express
string(30) "a-mund-te-qeveriset-me-kosoven"

Gazeta Express

28/04/2020 11:57

A mund të qeveriset me Kosovën?

Gazeta Express

28/04/2020 11:57

Çdo Qeveri e Kosovës, secili Kryeministër, e ka të pashmangshme, nëse dëshiron të jetë stabile, ta merr parasyshë përvojën e hidhur të tri Qeverive të kaluara.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

A mund të qeveriset me Kosovën? A është Kosova, thënë ndryshe, e qeverisshme?

Këto pyetje fillimisht të orientojnë në drejtimin e gabuar, në kërkimin e domosdoshëm të përgjigjes në to.

Ai reagimi i parë, i atij që nuk ka farë dije politike për zhvillimet dhe rrethanat në Kosovë, do ta kërkonte fajin për një gjendje të tillë, të mungesës së një raporti të drejtë në mes të qeverisjes dhe një vendi  (dhe qytetarëve të tij), tek vetë qytetarët e Kosovës.

Në një gjendje ta zëmë të një rebelimi të vazhdueshëm politik dhe social të qytetarëve në Kosovë, të mungesës së të hyrave buxhetore  (për shkak të një evazioni enorm fiskal), të krizës së madhe ekonomike në vend, të rrethanave të tjera vështirësuese vendore dhe ndërkombëtare, do të mund të kishte justifikim për problemet kontinuele që Qeveria e Kosovës i ka në përpjekjet për ta ruajtur një stabilitet politik, ekonomik dhe social në vend.

Por, gjërat e tilla nuk ndodhin në Kosovë. Kemi një lojalitet të qytetarëve ndaj shtetit, tutje shumica e tyre besojnë që Kosova mund të bëhet një shtet i suksesshëm. Ende këta qytetarë mendojnë që kanë vlerë të pamohueshme të gjitha sakrificat që janë bërë për krijimin e shtetit të Kosovës.

Në realitet, burimi kryesor i problemeve në Kosovë është vet politika kosovare, teksa ajo do të duhej të ishte në krye të gjitha ndërmarrjeve për t’i zgjidhur të gjitha problemet që i ka ky shtet dhe qytetarët e tij.

Mosfunksionimi i kësaj politike, veçmas në periudhën 2014-2020  (në ato gjashtë vitet e para të ekzistimit të shtetit të Kosovës, në vitet 2008-2014, megjithatë kemi pasur një politikë relativisht të qëndrueshme), ka për pasojë ato pyetjet e fillimit që kontestojnë mundësinë që në Kosovë të ketë Qeveri stabile.

Një informatë që nuk mund të kontestohet dot prej askujt është që në këto gjashtë vitet e kaluara, secila Qeveria ka zgjatë më shkurt se e kaluara. Qeveria PDK, LDK me Kryeministër Isa Mustafën, diku 30 muaj, Qeveria PAN, me Kryeministër Ramush Haradinajn, 22 muaj, Qeveria ‘Vetëvendosje’, LDK, me Kryeministrin Albin Kurtin, zgjati  52 ditë.

E përbashkëta tjetër e këtyre tri Qeverive është që ato nuk arritën dot ta përmbyllin mandatin e tyre, në radhë të parë për shkak që nuk përmbushën një detyrim të madh vendor dhe ndërkombëtarë, i cili ndryshe, nëse do të jetësohej, do të kishte konsekuenca shumë të rëndësishme për stabilitetin afatgjatë të shtetit dhe për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Qeveria e Kryeministrit Mustafa ra, në muajin maj të vitit 2017, sepse për gati dy vjet rresht nuk arriti ta Ratifikojë Marrëveshjen për shënjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Sikur kjo Marrëveshje të konfirmohej nga së paku 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës, në majin, qershorin e vitit 2016-të, deri në fund të atij viti qytetarët e Kosovës do të udhëtonin pa viza në Zonën Schengen. Ky momentum u humb atëherë dhe fatkeqësisht, për shkaqe të ditura për të gjithë, ne as sot e kësaj dite nuk kemi fituar këtë të drejtë të merituar, së paku nga muaji mars i vitit 2018.

Qeveria e Kryeministrit Haradinaj, u dorëhoq në fund të korrikut të vitit të kaluar për shkak të ftesës që Haradinaj mori nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Megjithatë, ky ishte vetëm një pretekst shtesë për largimin e kësaj Qeverie e cila gjatë gjithë vitit 2019  (deri në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me 6 tetor), nuk arriti ta tejkalojë sprovën e tarifës në mallërat që vinin nga Serbia dhe Bosnia e Hercegovina, apo të dakordohet me një kërkesë eksplicite të SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe BE-së, për pezullimin e saj të përkohshëm, në mënyrë që të ri-fillojë dialogu me Serbinë.

Qeveria e Kryeministrit Kurti, u shkarkua një muaj më parë  (me 25 mars), pikësëpari për të njejtën arsye si ajo e pararendësit Haradinaj: Raportit të kësaj Qeverie me SHBA-në, në trajtimin e temës së tarifës. Edhe këtu kishte një tjetër pretekst: Ai i vendimit të Kryeministrit Kurti për shkarkimin e Ministrit Veliu.

Një tjetër fakt që e bashkon fatin e këtyre tri Qeverive ishte tipari i destabilizimit të vazhdueshëm të politikën kosovare, i cili gati e pamundësonte funksionimin e duhur të Qeverisë së Kosovës.

Në rastin e Qeverisë Mustafa, as një raport i bashkëpunimit relativisht të mirë në mes të PDK-së dhe LDK-së, dhe as fakti që kjo Qeveri i kishte prapa vetes 87 deputetë (pra, mbi dy të tretën), nuk mjaftoi që të funksionojë dhe veprojë si duhet, për shkak të rrethanave të njohura për të gjithë, kur opozita e bashkuar  (’Vetëvendosje’, AAK dhe ’Nisma’), arritën thuaja ta paralizojnë funksionimin e Kuvendit të Kosovës në vitet 2015, 2016.

Në dy Qeveritë e fundit, atë të Kryeministrave Haradinaj dhe Kurti, pos përplasjeve të rëndomta në mes të Qeverisë dhe opozitës, ishim dëshmitarë të një dukurie të re në këtë politikën kosovare, kur u shpërfaqën edhe kundërthëniet e mëdha midis vetë partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilat kishin si burim kryesor këtë mos-respektimin apo shpërfilljen e një Agjende që dikur ishte e përbashkët në mes të Kosovës dhe SHBA-së, Kosovës dhe BE-së, për përmbylljen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Qeveri pas Qeverie, ditë pas dite, në këtë harkun kohor të gjashtë viteve të fundit, ne, si Kosovë, kemi mbërri tek dyshimet thelbësore se a mund të kemi një situatë kur një Qeveri funksionon si duhet, kur partnerët e koalicionin e respektojnë njeri-tjetrin, kur kjo Qeveri i mbetet besnik një partneritet të ndërtuar për një çerek shekulli  (prej vitit 1990 e tutje), në mes të Kosovës dhe SHBA-së, Kosovë dhe shteteve më të mëdha në Evropë, i cili, ndryshe, më para i ka bërë bashkë qeveritarët dhe opozitarët, me përjashtime të rralla.

Po shihet pra që disi ne kemi arritur ta zhvendosim atë boshtin e politikës kosovare, kemi humbur atë drejtimin e qartë që kemi pasur për vete dhe në raportet tona me SHBA-në dhe Evropën, duke u sjellur në një rreth të kotë dhe gjithsesi të rrezikshëm tash e gjashtë vjet.

Çdo Qeveri e re e Kosovës, secili Kryeministër i ri i Kosovës, e ka të pashmangshme, nëse dëshiron të jetë e qëndrueshme fillimisht, dhe pastaj e suksesshme, ta merr parasyshë këtë përvojën e hidhur të tri Qeverive të kaluara.

Së pari pra, partnerët qeverisës duhet ta krijojnë një kohezion të brendshëm politik, funksional dhe operativ.

Së dyti, Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i rrezikojë interesat jetik të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, duke e mëdyshur, qyshodoqftë, partneritetin e Kosovës me Perëndimin dhe miqësinë e Kosovës me Amerikën.

Së treti, Qeveria e Kosovës duhet patjetër të përpiqet që të krijojë një komunikim të mirëfilltë politik dhe mundësisht, edhe bashkëpunues, me opozitën parlamentare, sepse në adresimin e të gjitha çështjeve të mëdha për vendin, duhet siguruar përkrahjen e një shumice të kualifikuar parlamentare prej së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit.

Mospërmbushja e këtyre tri kërkesave shumë të rëndësishme, pos që do ta bëjë jetëshkurtër çdo Qeveri, do ta fuqizojë, fatkeqësisht, atë bindjen ekzistuese që Kosova nuk mund të qeveriset. Natyrisht, me fajin e politikës kosovare.