Duke kërkuar një vesh për leximin - Gazeta Express
string(33) "duke-kerkuar-nje-vesh-per-leximin"

Duke kërkuar një vesh për leximin

Gazeta Express

28/04/2020 11:19

Rreth librit10 të drejtat e lexuesit”, (Si një roman), te Daniel Pennac-ut

Nga: Brikena Smajli

Lexo Edhe:

Sa lexojmë dhe si lexojmë? A është kthyer përherë e më shumë të lexuarit në një punë angari? A ekziston dëshira e të lexuarit, ai veshi përkues i lexuesit që porsi veshi muzikor, e bën vetë lexuesin mirëfilli udhëtar dhe vetë t’lexuarit pra e përjeton si proces të qenësishëm vetëreflektimi e rritjeje?

Daniel Pennac në esenë e tij “Si një roman” është përpjekur t’i japë përgjigje këtyre pyetjeve dhe kjo nuk ndodh në mënyrën klasike të të dhënit përgjigje, madje as sipas pritshmërive të ndërtimit të një eseje klasike. Përpjekja e të menduarit e tejkalon vetë përpjekjen e të lexuarit të thjeshtë. Autori ia ka dalë që plot forcë të shkruajë një himn të të lexuarit pikërisht në cakun e fundëm të çmitizimit të tij. Siç ndodh rëndom me edukatorët jokonformistë, ai zbulon shtigje të tjera të të thënit: “Lexo!”, duke mos e pranuar urdhërin si të tillë, madje edhe duke e mohuar atë. Një mënyrë e mençur për të hyrë në mendjen e jolexuesve nga dera e pasme. Autori ia beh papritur dhe në këtë çast atë përpjekjen e mendjes për të ndërmendur se çfarë nuk shkon tek lexuesit (që në rastin më të mirë lexojnë pa dëshirë apo nga detyrimi shkollor), ai e kthen në një udhëtim të përbashkët ngazëllyes e ndërmendues në situata të jashtme, para librit, para detyrimit për të lexuar, duke vazhduar të jetë bashkëudhëtar që ua di të keqen dhe nuk e ka ndër mend t’i qortojë për këtë.

Si një libër, që hyn butë e pa zhurmë në mendjen e lexuesit duke e transformuar këtë të fundit, vetë autori bashkëpunon në pritje me mendjen e jolexuesit, apo lexuesit përtac, duke eksploruar rrugëtimin e mendjes së joleximit nëpërmjet leximit. Është një analizë e qartë e një shoqërie, parë nga shumë këndvështrime dhe një kritikë e mirëfilltë kundrejt mënyrës së të edukuarit me librin, e cila ndërkaq sugjeron edhe strategji të pazhurmë për leximin. Në këtë kuptim libri është për të gjithë, të rinj dhe të rritur, “të dashuruar” me librat apo jo, një libër kundër diskriminimit të lexuesit në përgjithësi.

Pra nuk ka rëndësi leximi, por si lexohet, sepse në pavetëdije Pennac është më kërkues, ai sugjeron e ngjall mbresa e ndërmendime që vështirë të vdesin; i ka hyrrë aq thellë psikologjisë së të lexuarit apo të lexuarit si proces, sa kërkon t’i bëjë thirrje instiktit individual të lexuesit, të kërkojë në të atë vesh të leximit, si veshi për muzikë. E porsi me kënaqësinë e të dëgjuarit muzikë, ky të heqë dorë nga ngurrimi fajtor i përtacit, por të zhytet në lexim, të kridhet në të, t’i dorëzohet atij, fare lirshëm. Autori nuk është këmbëngulës në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai nuk shpërfill, i ka lënë të hapura dyert e mosleximit dhe librin e tij si një ftesë kapricoze që duket se i thërret të gjithë “jolexuesit” në emra të përvetshëm …

Kemi kështu një tolerancë ekstreme për jolexuesit, thelbësor për zgjimin në gjithë këtë dëshirë të thellë për të lexuar, atë magjepsje brenda nesh kur zbulojmë, ashtu siç shkruan Pennac tek “Lindja e një alkimisti” kredhjen e madhërishme në këtë lindje të dytë, teksa lexuesi vështon se të mësuarit e të lexuarit kanë ecur krah për krah fëmijërisë sonë.

Natyrisht Pennac pranon nëpërmjet rreshtash se e kaluara është një fazë e caktuar e refuzimit për librin apo një shpërfillje, përzënie e tij. Të qenët i detyruar të lexosh dhe të përpiqesh ta bësh këtë pa e ndier veten të përfshirë në lexim (pa e dashur, pa e jetuar kënaqësinë e leximit), është njëherësh një humbje kohe edhe aspak një lexim, gati si barra e një çante të rëndë e të kotë që e mbajmë përtueshëm mbi shpinë. Pennac sugjeron ngazëllimin e të lexuarit, si më edukuesin, qoftë edhe vetëm kaq, sepse shembujt e tij janë entuziastë sa që ndonjëherë ato duken edhe të pambërritshëm. Vetë autori nuk pretendon, vetëm pret, duke i lënë hapur dyert për qasje të reja, si një manual frytdhënës për leximin. Ai sjell në vëmendje si në shaka anekdoda, i shkrin kështu kufijtë mes lexuesit e autorit dhe ngazëllen, pa e fshehur kompleksitetin e pasigurinë… Këtë ndeshim tek pjesa e tretë e esesë, “Të japësh për të lexuar” e cila është një nxitje për dhuntinë e leximit me të gjitha shumëllojshmëritë e tij.

Së fundi vjen pjesa katërt, “Çfarë do të lexohet” (ose të drejtat e papërshkrueshme të lexuesit), një lloj dogme anti-dogmë – dhe kaq paradoksale, por edhe kaq e ndjeshme njëkohësisht e cila tingëllon edhe si një ndalim i pamundur për të ndaluar, kuturisës ose një “guxo, zhytu, kridhu, nëse do t’i gëzosh këto të drejta!”

E para, e drejta për të mos lexuar, që duhet të na bëjë ta shpërfillim leximin; pasi e dyta, e drejta për të kapërcyer faqe, mund të na bëjë të besojmë se edhe mund të vijojmë deri në gjysmën e rrugës dhe e treta, e drejta për të mos përfunduar një libër, na jep mundësinë të mos lexojmë edhe të drejtat e mëposhtme. Gjithçka shfaqet kontradiktore dhe në të njëjtën kohë është kthjelluese …! Kur lexon të drejtat e tij, lexuesi i “Si një roman” ndihet i lirë në radhë të parë nga detyrimet e leximit, dënimet ia plas mendjes së tij sikur t’i kishte menduar për ta, sepse këto të drejta godasin në shenjë. Lexuesi këtë pret: të drejtat e tij. Kulmi i kësaj eseje dhe një përmbledhje thelbësore e reflektimeve të Pennac-ut janë të drejtat e lexuesit dhe ato janë të dukshme për të gjithë, të dukshme dhe frymëzuese njëherësh. Lexuesi mund të befasohet edhe kur kupton se sa shpejt këto të drejta i bëhen të tijat duke u bërë pjesë e instinktit kërkues të lexuesit që do ta lejojnë atë të ecë lirisht leximesh të ardhshme.

E drejta për të lexuar mund të na bëjë të përpiqemi përsëri deri në lodhje, vetëm për të pirë ujë burimit që na ka hapur sytë! Në të drejtën për të lexuar ndonjë gjë, ne mund t’i bëjmë vetes pyetjen: a kemi lexuar vetëm “çdo gjë”? Ah, edhe kjo varet nga ajo që nënkuptohet me “çdo gjë”, vallë, shijen e të gjithëve! Pra, po dhe jo! E drejta e gjashtë mund të lërë pak të hutuar atë që nuk e ka lexuar Flaubert-in, por kjo do ta bëjë ta lexojë Emën, për t’u pasuruar me këtë të drejtë të tij: të drejtën për t’u sëmurë nga bovarizmi (sëmundjen tekstualisht të transmetueshme). Gjithsesi, kjo pjesë do të nxisë pyetjen nëse janë të gjithë të vaksinuar për të lexuar këtë libër! E drejta për të lexuar kudo ka qenë e vërtetë për një pjesë lexuesish, po të tjerë le ta provojnë e ushtrojnë këtë të drejtë. Të qenët i ngërthyer në këtë libër të jep të drejtën të ecësh në këmbë me leximin qytetit të librit.

E drejta për t’u ballafaquar jep dëshirën për të kaluar sa hap e mbyll sytë një pjesë të mirë të faqeve për t’i dhënë kohë lexuesit të shijojë faqet më të dashura, si më frymëzueset … Lexuesi e ka këtë të drejtë, të veprojë edhe si “kasap” faqesh. Madje mund të kërkojë ca rriska të holla Shekspiri, një rriskë të hollë nga Dostojevski a ndonjë Molier! Lexuesi ka të drejtë të lexojë me zë të lartë, në rrugë, në autobus, në metro… Së fundmi, e drejta e dhjetë dhe e fundit është ajo e të heshturit në kontrast me ligjin e mëparshëm, me këtë kërkesë të parezistueshme për të ndarë atë që kemi lexuar, për të folur për atë pafundësisht…është bukur të heshtësh pasi të kesh lexuar një libër!

Në fund, ky libër shfaqet si një paradoks i madh, por i shijshëm: autori e nis duke lutur “të mos përdoren këto faqe si një instrument i torturës edukative” dhe “megjithatë, pavarësisht kësaj, ai krijoi një lloj letërsie përfundimtare, disi si një gjarpër që e kafshon butësisht bishtin e tij, një kryevepër – që mund të vënë në lojë leximin e imponuar!”(Preface de Gallimard) Një recetë dhe strategji të pranuari edhe të leximit. Pra, nuk është një instrument i torturës, sepse nuk ka nevojë për një raport apo një analizë apo një test të mirëkuptimit, por vetëm një libër me një fuqi të tillë frymëzuese!

Një kulm i së vërtetës universale, pasi këto shkrime pretendojnë të kundërtën! Si ta zgjidhim këtë dilemë, këtë nevojë të papërmbajtshme për t’i bërë të tjerët ta zbulojnë atë që më duket një zbulesë e domosdoshme, një reflektim i arsyetuar dhe i nuancuar, një mençuri bujare? Autori nuk përpiqet të të mësojë, vetëm “udhëto e gëzo” nëpërmjet leximit…Vetë lexuesi e kupton se do të jetë një tjetër në faqen e fundit të librit, e më së shumti, do të heshtë. /Gazeta Liberale