Si ndikon COVID-19 te gratë shtatzëna? - Gazeta Express
string(37) "si-ndikon-covid-19-te-grate-shtatzena"

Gazeta Express

20/04/2020 7:45

Si ndikon COVID-19 te gratë shtatzëna?

Gazeta Express

20/04/2020 7:45

Shkruan: Dr.sci. Fehmi Ahmeti

Ka pasur diskutime të konsiderueshme në lidhje me ndikimin e COVID-19 në shtatzëni midis ekspertëve mjekësorë dhe mediave pasi virusi është përhapur në të gjithë botën. Deri më tani, të dhënat e disponueshme mbi ndikimin e infeksionit me COVID-19 në shtatzëni janë të kufizuara në disa seri rastesh të grave të infektuara në gjysmën e fundit të shtatzënisë.

Lexo Edhe:

Edhe pse numri i grave shtatzëna të infektuara me COVID-19 nuk është i madh, të dhënat nga këto seri rastesh kanë dëshmuar vazhdimisht se gratë shtatzëna nuk kanë rrezikshmëri më të madhe për të fituar infeksion dhe as një rrezik më të madh për sëmundshmëri të rëndë ose vdekshmëri, krahasuar me gratë jo shtatzëna të së njëjtës moshë.

Për më tepër, shumica e foshnjave të lindura para terminit nga gratë shtatzëna të infektuara me COVID-19 janë të shëndetshme. Rrjedha e pafavorshme e shtatzënisë duket se është proporcionale me shkallën e sëmundjes së frymëmarrjes së nënës, të shkaktuar nga COVID-19. Deri më tani nuk ka asnjë dëshmi të transmetimit vertikal (nga nëna te fetusi) të COVID-19.

Për këto arsye, gratë shtatzëna në shërbimet themelore, përfshirë punonjëset e shërbimit shëndetësor, mund të vazhdojnë të punojnë gjatë pandemisë COVID-19. Në situatat kur një punëtor mund të ekspozohet ndaj një personi që dyshohet ose konfirmohet se ka COVID-19, duhet të përdoren pajisje të përshtatshme mbrojtëse personale.

Asnjë masë shtesë e pajisjeve mbrojtëse personale nuk kërkohet për punonjëset shëndetësore të cilat janë shtatzëna krahasuar me punëtoret shëndetësore jo shtatzëna. Duke pasur parasysh që të dhënat për COVID-19 gjatë shtatzënisë janë në fillimet e saj, nëse personeli lejon, shmangia e ekspozimit të panevojshëm të shtatzënave ndaj pacientëve me COVID-19 të dyshuar ose të verifikuar, duhet të merret në konsideratë.

Gratë shtatzëna me sëmundje shoqëruese, si sëmundjet kardiake, hipertensioni dhe sëmundjet e mushkërive duhet të kontaktojnë obstetrin e tyre para lindjes dhe të konsultohen në lidhje me rrezikun e gjendjes së tyre lidhur me COVID-19 dhe duhet të merren masa paraprake për të parandaluar ekspozimin e mundshëm, në përputhje me rrethanat. Në mungesë të sëmundjeve shoqëruese, nuk ka nevojë të merren masa të posaçme parandaluese.