Nga komuna e Gjilanit sot pritet të testohet vetëm një rast me koronavirus, i cili është kontakt i ngushtë familjar. Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, i tha Gazetës Express se po ashtu dy raste kontakti nga Zvicra dhe një rast tjetër kontakti në Kosovë por i panjohur se nga ka ardhur janë testuar dhe kanë rezultuar negativ.
Të dhënat e fundit e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të publikuara mbrëmë kanë shënuar edhe 36 raste të reja me COVID-19.
Të prekurit janë nga pjesë të ndryshme të vendit. Të gjitha mostrat e marra para dy dite dhe dje, nga Komuna e Gjilanit, të gjitha kanë rezultuar negative.
Tri raste pozitive nga kjo komunë janë ritestuar dhe kanë rezultuar negative dhe me shërim të plotë.
Ndërkaq sot pritet të testohet një rast për Covid-19 nga komuna e Gjilanit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Nënkryetari i komunës së Gjilanit, i tha Gazetës Express se tri raste të tjera kontakti që janë testuar, dy nga Zvicra dhe një në Kosovë kanë dalë negative.
“Gjithashtu vlen me u përmend që 3 raste kontakti, dy nga Zvicra dhe një në Kosovë ende jo i njohur nga ka ardhur, kanë dalë negativ”, i tha Ismajli Gazetës Express të enjten.
Nga komuna e Gjilanit, 10 raste me test pozitiv me COVID-19, 3 janë në shërim të plotë, ndërsa kanë mbetur edhe 7 raste në trajtim deri në shërim përfundimtar.
Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka deklaruar se pakoja e masave të reja është duke u zbatur plotësisht në Gjilan.
“Jam shumë i lumtur që masat e prezantuara nga Komuna e Gjilanit në këto 34 ditë, kanë dhënë efektin e madh të parandalimit të përhapjes. Ndërkohë, pako e masave të reja është zbatuar në plotëni. Apeloj qytetarët që të vazhdojnë t’u përmbahen rregullave të shtetit sepse, po e përsëris, mund t’i vijë puna që pandeminë ta kaloni në burg”, ka deklaruar Haziri.
Klinika Infektive ka njoftuar sot për vdekjen e 10-të nga koronavirusi në Kosovë, të një pacienteje 71-vjeçare e cila kishte edhe probleme të tjera shëndetësore.
Deri më tani në nivel vendi janë 423 të infektuar, 71 të shëruar dhe 10 të vdekur nga epidemia Covid-19. /GazetaExpress/