Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Juliano Belletti, ka treguar se si Lionel Messi në moshën 16-vjeçare e kishte turpëruar në takimin e parë mes tyre në stërvitjen e skuadrës.
Braziliani ishte pjesë kyçe e ekipit të parë të Barcelonës kur Messi i ishte bashkuar nga ekipi B për t’u stërvitur, transmeton Gazeta Express.
“Kur Messi erdhi nga ekipi B, (trajneri) Frank Rijkaard e futi në lojë me neve në një sistem 11 kundër 11, në një fushë të vogël”, tha Belletti për ESPN.
“Ai ishte në ekipin e zëvendësuesve ndërsa unë në ekipin e titullarëve”, shtoi ai.
“Andres Iniesta më pyeti nëse e njihja Messin. I thashë që nuk e njihja dhe ai më paralajmëroi: ‘Atëherë bëj kujdes, eh’. Kur ai e pranoi topin e parë, thashë me vete: ‘Ta hajë dreqi! Ky djalosh është i spikatur!’”
Belletti vazhdoi: “Pastaj, kur unë iu afrova për t’ia marrë topin, ai më kaloi sikur të mos isha aty dhe shënoi gol”.
“Ai kaloi mbi mua”, theksoi braziliani. /Gazeta Express/
