Një kaci tokë, dy kacia politikë - Gazeta Express
string(31) "nje-kaci-toke-dy-kacia-politike"

Një kaci tokë, dy kacia politikë

Gazeta Express

10/04/2020 13:37

Ekzistojnë shumë keqkuptime kushtetuese në Kosovë. E gjithë historia e ketij shteti të brishtë mund të definohet si nje keqkuptim i madh. Një oksimoron funksional

Shkruan: Genc Kadriu

Lexo Edhe:

Ekziston një keqkuptim i thellë në lidhje me kushtetutën e shtetit të Kosovës. Ky keqkuptim e bën poroze barrierën në mes të politikës dhe ligjit. Në të, fuqia politike e sovranit (mbi veten) i gjunjëzohet fuqisë së ligjeve (të shkruara) të tokës.
Duke shkuar nga një “ndarje” te një “përzierje”, sovrani ndahet nga ligji i tokës, e ligji i tokës përzihet me fuqinë politike të sovranit. Kështu kushtetuta shkelet duke u vendosur mbi sovranin. Përndryshe e pakuptimtë, përveç nëse sovrani nuk ështe përnjëmend sovran, por mbase nga ndonjë situatë historike, vasal ose skllav i subordinuar. 
Me këtë keqkuptim bëhet shqepja e “unitetit” (të sovranit me ligjet e tokës) dhe qepja e “distancës” (midis politikës dhe ligjit.) 
Se si ndryshe mund kenë sens ligjor rënia ndesh e të drejtave dhe lirive të sovranit, (35, 36, 43), me shëndetin dhe ekzistencën e tij. Kur liritë e lëvizjes së njeriut janë lëvizjet e lira të koronavirusit, kërkesa për ligje në pandemi do të duhej të trajtohej me ligj, si një kundërvajtje me neglizhencë. Ligj që shkel ligjin, në rastin tonë konkret, duke iu bërë akcesor përhapjes dhe shpërthimit. 
Kushtetuta e Kosovës i garanton të drejtat dhe liritë e njeriut, por veturat nuk janë njerëz. E veturat në Kosovë janë bërë leva e përhapjes së Covid-19. Rrotat e koronavirusit. Shtoja kësaj edhe skandalin e mungesës së sigurimit adekuat për ta zbatuar distancën nëpër dyqane, dy metra në radhë duken udhëtim për në hënë. Vetëshërbimet po vlojnë sikur hoje. Kur i lusdisa njerëz për të qëndruar larg, iu vjen inati. Por nuk iu vjen inati që nuk i kanë bërë listat e shopingut për ta shpejtuar procesin dhe kursyer të tjerët. 
Në Kosovë mbisundon një nonshalancë relative karshi rrezikut. Parmbrëmë e dëgjova një kryetar të një partie politike në Rubikon duke e shpërlarë me folklor shtrëngimin e tij të dorës dikujt në Shalë të Bajgorës. Tha: “Ata janë malësorë”. 
Populli jorrallëherë është armiku i shkencës, megjithatë, përçarësit e 24 marsit janë shokët më të ngushtë të koronavirusit. Në kanalin tjetër, drejtori i infektives, deri dje pa sapun, është bërë yll në televizion. Shpërndan zotëria informata të rrejshme gjoja rrezet ultraviolete gjatë verës do ta shkatërrojnë virusin. Thua ti, Brazili dhe Arabia me mbi 30 gradë qenkan akullnaja nën hijen e qiellit të vrerosur. Lutem që politikat dhe strategjitë e veprimit mos të bazohen në kësi lloj deklaratash “profesionale”. Ndonëse, kur e shikon edhe Ministrin e Shëndetësisë duke blerë “Chloroquine”, një ilaç për malarie të bazuar në evidencë anekdotike, të demantuar nga Kina, OBSh dhe Mbretëria e Bashkuar, një ilaç me histori të dëmtimit të pakthyeshëm të veshkave dhe mëlçisë, ilaç që të len sakat, ulesh e e ngushëllon veten bashkë me Omerin dhe Zehrën, në burgun e dashurisë.
Kurba në terren sa shkon e rritet. Ngadalë, por qëndrueshëm. Varret e reja hapen, varret që duhet të mbyllen pa ceremoni. Politikanët e kanë gojën përplot me “bashkë”, por nuk e kanë idenë se si të arrihet kjo bashkë. Na thonë: “mos panikoni”, e vetë janë në panik sepse duhet të improvizojnë. Në proces jeta e njeriut të thjeshtë bëhet gur i zbehur i shahut, në luftën e dikujt për pushtet. Bëhet brejtës laboratori, për aventurat mjekësore të Presidentit Trump.
Shkelësit e kushtetutës në pandemi janë të gjithë ata që bëjnë politikë me koronavirusin. Kampanjë me sëmundje, propagandë me vdekje. Qe besa, këtë zanat e kanë të ushtruar mirë. E kanë industri. 
Politizimi i koronavirusit i ka tejkaluar limitet e turpit. Unë personalisht, më shumë i frikësohem sot PLAN-it, se sa Vuçiqit dhe Sheshelit bashkë. Dhe shpresoj që masat e reja pas 13 prillit do t’i ndalojnë të gjitha lëvizjet ndër-qytetore. Që do të bëhet kompartmentalizimi territorial. Duke qenë se shumica e të infektuarve deri më tash janë familjarë, do të kufizoheshin udhëtimet ditore për tubime familiare, dhe do të parandalohej rishpërndarja nga lokacionet e tubimeve familiare. Vetëm izolimet masive mund t’i asgjësojnë zinxhirët e përhapjes.
Jeta e para-koronavirusit nuk do të kthehet. Por aq më mirë. Vetëm shife, u desht një pandemi globale për t’ia hapur sytë Ministrit të Ambientit mbi problemin vdekjeprurës të azotit në Kosovë. Sa ironike kur tash e sa kohë jemi të përmbytur nga faktet dhe numrat.
Ekzistojnë shumë keqkuptime kushtetuese në Kosovë. E gjithë historia e ketij shteti të brishtë mund të definohet si nje keqkuptim i madh. Një oksimoron funksional. Përshembull, jemi edhe të lirë edhe të kolonizuar njëkohësisht. Të fjetur brenda një bishtaje duke ëndërruar se po fluturojmë lart në qiell bashkë me shqiponjat. Duke e marrë shtetin seriozisht, por gjithmonë në diskrepancë me zakonet. Na kanë thënë që komuniteti është një relikt muzeologjik që mund ta shpërfillësh në forumet e legjislaturës. U kemi besuar.
Kushdo që e ka shkruar kushtetutën aktuale të Kosovës, i vjen era ndrydhje të sovranit. E kushdo që e ka përkthyer, ec e bjeri në fije. Kur ta kenë ndryshuar atë një ditë, para se të vihet në referendum, pyetja: “kush duhet të bëhet president?”, aman le të shtrohet një pyetje tjetër: 
“A duhet populli i Kosovës të ketë president, apo nuk duhet të ketë president?”.