Ankthi dhe frika, zakonisht perceptohen si emocione negative, por ato kanë edhe funksionet e tyre me ndikim pozitiv në jetën tonë. Nëse ne punojmë me veten, drejtë njohjes së gjendjes sonë emocionale, identifikimit të ankthit dhe eksplorimit të mënyrës së lidhjes me të, mund të zbulojmë disa nga pikat tona më të forta, aftësitë më të dobishme, që do të na ndihmojnë ta shfrytëzojmë ankthin në dobinë tonë dhe të mos nënshtrohemi nga ai.
Shkruan: Brikena Krasniqi Hoti
1. Ankthi na ndihmon që të mbijetojmë. Ankthi, i cili në thelb ka përjetimin e frikës, është i lidhur ngushtë me instinktin tonë të mbijetesës. Shqetësimi ynë për rrezikun, i bën njerëzit më vigjilentë ndaj burimit të rrezikut apo kërcenimit, i ridrejton dhe organizon aftësitë tona kognitive për të ndërmarrë veprime mbrojtëse dhe jo rrezikuese, për të kërkuar siguri dhe për tu siguruar që jemi duke bërë gjërat mirë sa duhet, për të qëndruar të sigurtë, derisa rreziku të kaloj. Më një fjalë, ankthi dhe frika, na ka bërë që ne të informohemi se si duhet të veprojmë për tu mbrojtur nga infeksioni me viursin Covid-19, dhe si duhet të qëndrojmë sigurt që kjo pandemi të kalojë sa më shpejtë. Kjo e fundit do të thotë #rriNshpi.
2. Ankthi na vetëdijëson për vlerat tona më të rëndësishme në jetë-Kur ndjejmë ankth, duhet të punojmë me vetën për të kuptuar se çfarë mesazhi mund të na jep . Ankthi është një radar jetësor për të na treguar se çfarë është e më e vlefshme për ne dhe se çfarë janë prioritetet tona. Nëse aktualisht jemi në ankth për shëndetin dhe jetën tonë dhe të familjarëve, kjo na tregon ose rikujton vlerën e vërtetë për ne. Por njëkohësisht na rikujton përgjegjësine që kemi për tu siguruar që po veprojmë për t’i ruajtur këto vlera. Prandaj #rriNshpi.
3. Ankthi mund të shërbejë për ta zbuluar tek vetja, potencialin tonë të vërtetë. Kur jemi në ankth ose të frikësuar, ne mobilizohemi me gjithë qenien tonë që të dalim sa më mirë që mundemi nga situata që na shkakton ankth. Kjo do të thotë që e shtyejmë vetën tonë deri tek kufijtë e asaj që mund të arrijmë për tu përballur me situatën edhe kur jemi nën presion. Ne shpesherë, kur jemi në ankth e zbulojmë tek vetja që jemi më të mirë dhe më të zotët se që e vlerësojme vetën tonë. Sepse ankthi dhe frika, si emocione që burojnë nga instinkti i mbijetësës, e mobilizojnë gjithë energjinë tonë, për të dhënë më të mirën nga vetja. Pra nëse ke menduar se asnëjherë nuk mund të rrish në të njëjtin vend për më shumë se 24 orë, besoj tashmë e ke zbuluar se mundesh, madje akoma më shumë. Kjo mund të jetë diçka e re që do të mësosh për veten, superfuqia jote e re. #rriNshpi
Ky nuk është një mesazh që ata që vuajnë nga ankthi e kane kaq të lehtë. Të jetosh në ankth është vuajtje, dhimbje, frustrim, tejet lodhëse. Për shumë njerëz, ankthi nuk i frymëzon për arritje, por përkundrazi, mund të jetë një paaftësi e perceptuar për të ndërmarrë veprime. Ankthi edhe mund t’ju bëjë të ndjeheni të paralizuar, të paaftë për të vepruar apo menduar anën pozitive të tij. Lajmi i mirë është se ka shpresa që mund ta shfrytëzoni ankthin në dobinë tuaj. Disa njerëz arrijnë vet ta bëjnë këtë, disa më ndihmën e miqve dhe familjes, e disa të tjerë kanë nevojë për ndihmë profesionale. Cilido qoftë rasti juaj, e rëndësishme është që ka shpresë.
/Brikena Krasniqi Hoti.
Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapiste