Gjuha e urrejtjes dhe liria e shprehjes - Gazeta Express
string(39) "gjuha-e-urrejtjes-dhe-liria-e-shprehjes"

Gjuha e urrejtjes dhe liria e shprehjes

Gazeta Express

31/03/2020 8:16

Autori: Arianit Jashari

-Komunikimi sot në rrjete sociale nga të rinjtë

Lexo Edhe:

Në Kosovë, janë bërë të zakonshme shprehjet fyese dhe denigruese nga individë apo grupe të caktuara. Kjo si kundërpërgjigje ndaj reagimeve e mungesës së argumenteve në debate apo opinione lidhur me ndonjë qështje të caktuar, këto ditë kryesisht mbizotrojnë opinionet politike.

Kjo gjuhë e komunikimit, në të cilën fatkeqësisht mbizotërojnë: gjuha e urrejtjes, përqarjet mes individëve dhe fyerjet më banale është në fazën më shqetësuese të përdorimit, aktualisht në vendin tonë. Shqetësimi im më i madh qëndron tek fakti, se përdorues aktiv të rrjeteve sociale janë kryesisht të rinjtë, dhe pikërisht një pjesë e madhe e të rinjve është përfshirë në këtë komunikim vulgar.

Gjuha e urrejtjes në mes të rinjve në Kosovë, rreth aktualitetit politik, e cenon barazinë shoqërore, lirinë e mendimit të pavarur, minimizon përdorimin e mendimit kritik dhe bëhet formë e përjashtimit politik dhe shoqëror.

Për më shumë gjuha e urrejtjes mund të dërgojë edhe në dhunë fizike dhe përplasje të natyrave të ndryshme.

Është e papranueshme se si opinionistët dhe komentuesit kanë zgjedhur gjuhën vulgare dhe fyerjet më denigruese ndaj njëri tjetrit, duke mbrojtur deklarata e mendime të disa liderëve politik që në thelb bartin mesazhe dhe nxitje përqarëse mes njëri tjetrit. Ky diskurs nuk i kontribuon askujt e në veqanti vet opinionistëve e komentuesve të rinj, por, të vetmit që mund të përfitojnë nga këto vulgarizma e përqarje janë vet liderët e përfolur. Pozicioni i të cilëve po mitizohet dhe po rritet paprekshmëria e tyre. Kjo padyshim se nuk i kontribuon askujt e sidomos qytetarëve të Kosovës, ngase vendit i duhen mendje të ndritura që bartin në vete arsyen e mirë, lidershipin dhe vullnetin e jashtëzakonshëm për të udhëhequr me vendin, duke përjashtuar inatet personale, egon dhe tendencat për mitizim.

Tani do të ndalem tek Liria e fjalës dhe shprehjes, si e drejtë themelore e garantuar me Konventën Evropiane për të drejtat e Njeriut dhe dokumente tjera shumë të rëndësishme, të cilat ishin garantues i këtyre lirive dhe të drejtave themelore.

Nuk mund të flas për lirinë e shprehjes e të mos citoj filozofin dhe politikanin anglez John Stuart Mill: “Liria e shprehjes na mbron nga pushteti i korruptuar dhe tirania. Kjo liri është një nga garancitë themelore për shoqëri të hapur dhe pluraliste.”

Pikërisht të rinjtë e Kosovës duhet të kultivojnë mendimin e lirë, të përdorin lirinë e fjalës dhe shprehjen e mendimit kualitativ, të mbështetur në arsyeshmëri dhe argumente të qëndrueshme e asesi forma tjera të nxitura nga mllefi e inatet te cfarëdo natyre qofshin ato.

Të dashur të rinj, mendimi ndryshe dhe liria e shprehjes, asesi nuk duhet të lejojmë që të keqpërdoren dhe duke u thirrur në to, të shkelim të drejtat dhe lirinë e tjetrit. Këtu duhet të keni parasyshë dhe gjithmonë në mendje se: “Liria ime përfundon, aty ku fillon liria jote”.

Mendimi ndryshe, dallimet që mund të kemi në qeshtje të caktuara, përfshirë edhe ato politike, duhet të shihen, dhe padyshim se janë vlerë e shoqërisë demokratike.

Sot me shumë se kurrë na duhet ndërgjegjësim dhe maturi nga të gjithë, pavarësisht dallimeve e mendimeve të ndryshme që mund të kemi.

Uniteti, toleranca, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi janë virtyte të njerëzve të civilizuar dhe na duhen më së shumti, për tu përballur me sfida dhe për të promovuar instrumentet demokratike, si formë e vetme e komunikimit në botën bashkëkohore.

Kështu mendoj, kështu jam i bindur dhe kështu do të veproj, ngase kjo tregon kulturën e komunikimit të rinisë Kosovare dhe ky është standardi i komunikimit që duhet të ndjekim.

( Përfaqësues i të rinjve të Kosovës në RYCO )