Skifterat reagojnë ashpër ndaj kërkesës së klubeve: Milionerë e gjahtarë - Gazeta Express
string(71) "skifterat-reagojne-ashper-ndaj-kerkeses-se-klubeve-milionere-e-gjahtare"

Skifterat reagojnë ashpër ndaj kërkesës së klubeve: Milionerë e gjahtarë

Gazeta Express

28/03/2020 23:33

Përmes një postimi në llogarinë në Facebook “Ultras Skifterat”, tifozët e Gjilanit kanë reaguar ashpër ndaj propozimit të pronarit të Ballkanit e të mbështetur nga përfaqësuesit e Trepçës ’89 dhe Llapit për kompensim të dëmenve financiare të shkaktuara nga koronavirusi, duke i quajtur këta të fundit milionerë e gjahtarë  që duan t’i binë në qafë buxhetit të Kosovës.

Të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë, ashtu si në shumicën e botës, janë pezulluar për shkak të virusit pandemik Covid-19, që deri më tani i ka prekur mbi 621 mijë njerëz dhe i ka lënë të vdekur mbi 28 mijë njerëz në botë, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Për shkak të pezullimit të aktiviteteve sportive, klubet janë goditur edhe në anën financiare, pasi që e kanë të pamundur të fitojnë të ardhura prej shitjes së biletave e sponsorizimeve si më parë. Për këtë arsye klubet e Ligës Profesioniste të Futbollit të Shqipërisë kanë kërkuar dëmshpërblim.

“Si rezultat i pezullimit të aktivitetit, 10 klubet anëtare të Ligës kanë pësuar një dëm të konsiderueshëm financiar, i cili konsiston në zvogëlimin e të ardhurave nga reklamat, sponsorizimet dhe shitja e biletave dhe për pasojë ka krijuar vështirësi në pagimin e sportistëve dhe të stafit teknik të tyre”, thuhet në kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit të Shqipërisë.

“Në këto kushte, kërkojmë nga ana juaj në në zbatim të Nenit 42/6 të Ligjit të parashikoni përfshirjen e 10 klubeve anëtare të Ligës Profesioniste të Futbollit si subjekte që do të kompensohen me vendim të Këshillit të Ministrave për dëmet e shkaktuara si pasojë e epidemisë Covid-19”.

Pronari i Ballkanit, Arsim Kabashi, ka kërkuar që të njëjtën kërkesë drejt kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe Ministrisë së Sportit ta bëjnë edhe klubet e Ipko Superligës së Kosovës.

“Superiorja Shqiptare tubohet për t’iu drejtuar Kryeministrit për përkrahje pas Epidemisë Globale. A do të ishte e arsyeshme edhe ne klubet e Superligës të tubohemi të kërkojmë ndihmë nga z.Kryeministër dhe Ministria e Sportit për mbështetjen dhe tejkalimin e kësaj gjendje aktuale?”, shkroi Kabashi në llogarinë e tij në Faceook.

Ai shpejt mori përkrahje nga trajneri dhe donatori në Llap, Tahir Batatina, dhe presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka. Mirëpo tifozët gjilanas kanë reaguar ashpër ndaj këtij propozimi, i cili besojnë që erdhi pasi personat e lartpërmendur kanë dëgjuar që Ministria e Sportit, Kulturës dhe Rinisë i ka ndarë pesë milionë euro buxhet për këtë krizë.

“Milionerë dhe Gjahtarë. Në këtë kohë pandemie kur populli lufton për bukën e gojës dhe situata është jashtë normales shfaqen milionerët e disa klubeve të cilët çdo ditë trumbetojnë në shtypin ditor për korrektësinë në paga për lojtarë dhe investime në futboll”, thuhet në reagimin e Ultras Skifterave.

“Me të dëgjuar lajmin se është propozuar një pako fiskale nga MKRS për organizatat sportive në mënyrë që të ndihmohet mbarëvajtja e sportit vendor këta milionerë bëhen bashkë për ti rënë në qafë buxhetit të Kosovës!!”

“O gjahtarë, lërini ato mjete të shkojnë në klubet e vogla në ligat dhe sportet jo aq të popullarizuara e me kushte të vështira, mos kërkoni paren e popullit sepse mjaftueshëm keni, apo po e shfrytëzoni këtë për ta përdorur si mjet për politikat tuaja ditore kundër akterëve të ndryshëm që udhëheqin futbollin”

“Të njëjtë jeni, prandaj së paku na kurseni nga marketingu që i bëni vetes mbi korrektësinë dhe ndershmërinë, ndihmoni të varfërit, ndihmoni të sëmurët e tifozët tuaj e mos u turpëroni!!” /Gazeta Express/