Si e argumentoi presidenti "shkeljen kushtetuese" të kryeministrit në kërkesën që ia çoi Kushtetueses (Dokument) - Gazeta Express
string(108) "si-e-argumentoi-presidenti-shkeljen-kushtetuese-te-kryeministrit-ne-kerkesen-qe-ia-coi-kushtetueses-dokument"

Si e argumentoi presidenti “shkeljen kushtetuese” të kryeministrit në kërkesën që ia çoi Kushtetueses (Dokument)

Albioneta Ademi

24/03/2020 15:56

Presidenti Hashim Thaçi i ka kërkuar sot Gjykatës Kushtetuese ta anulojë vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Deri në vendimin përfundimtar, Thaçi kërkon që ky vendim të pezullohet. Gazeta Express jua sjell të plotë kërkesën që presidenti e dorëzoi sot në Kushtetuese.

Presidenti Hashim Thaçi sot ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për interpretim të vendimit të Qeverisë, me të cilin Thaçi beson se kryeministri Albin Kurti e ka shkelur Kushtetutën.

Lexo Edhe:

Bëhet fjalë për vendimin e djeshëm të Qeverisë, me të cilin, për shkak të situatës së krijuar nga virusi COVID-19, ndalohet lëvizja e qytetarëve nga ora 10 deri në orën 16 dhe nga ora 20 deri në orën 6.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Express, Thaçi i kërkon Gjykatës Kushtetuese opinion rreth ligjshmërisë së këtij vendimi, pasi presidenti beson që Qeveria nuk mund ta ndalojë lëvizjen e qytetarëve sepse Kushtetuta lejon diçka të tillë vetëm nëse është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Në arsyetimin e kërkesës së tij, presidenti Thaçi ka përfshirë vendimin e Qeverisë dhe dhjetëra nene të Kushtetutës që, sipas tij, janë shkelur nga Qeveria Kurti.

Thaçi shkruan se Qeveria i ka kufizuar liritë e lëvizjes dhe tubimit të qytetarëve e, sipas tij, kjo mund të ndodhë vetëm nëse vendi është në gjendje të jashtëzakonshme.

“Qeveria me vendimin kontestues, e ka shpërfillur mandatin dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese e ligjore, duke kufizuar në thelb lirinë e tubimit të garantuar sipas nenit 35 dhe nenit 43 të Kushtetutës, kufizimi i të cilave, për të gjithë qytetarët pa dallim, mund të bëhet me ligj dhe vetëm në rrethana të Gjendjes së Jashtëzakonshme, si dhe me kushte e rrethana që e arsyetojnë një kufizim të tillë, si dhe në masën që e arsyeton proporcionalisht esencën e së drejtës që kufizohet dhe vetëm pas shpalljes së Gjendes së Jashtëzakonshme nga Presidenti i Kosovës, sipas nenit 131, paragrafi 1 (3) dhe paragrafi 4 të Kushtetutës”, thuhet në arsyetimin e Thacit.

Në saktësimin e kërkesës, Thaçit thotë se ky vendim duhet të anulohet krejtësisht.

“Qeveria ka shmangë të drejtat dhe liritë themekore që mbrohen me Kushtetutë, pa shpallur Gjendje të Jashtëzakonshme sipas Kushtetutës dhe në këtë drejtim kqa shkelur dhe liritë e njeriut të garantuara e Kushtetutë, andaj kërkohet nga Gjykata Kushtetuese të vendos në mënyrë meritore lidhur me këtë kërkesë, duke e anuluar këtë Vendim, për mospërputhje me Kushtetutën”.

Thaçi kërkon që të pezullohet vendimi i Qeverisë, deri në vendimin përfundimtar për të, nga Gjykata Kushtetuese.

“Duke konsideruar se është në interesin e qytetarëve që të mos shkelen të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara dhe të mbrojtura me Kushtetutë, të pezullohet vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 01/15, datë 23.03.2020, andaj kërkojë nga Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme ndaj cështjes së ngritur, deri në vendimin përfundimtar”, thuhet në kërkesën e Thaçit.