Mesfushori i Manchester Unitedit, Juan Mata, i bëri thirrje botës së futbollit të qëndrojë e qetë dhe të ketë besim te ekspertët, përderisa ndeshjet e futbollit janë pezulluar shkaku i virusit Covid-19.
Njëjtë si ligat e tjera rreth e përqark Evropës, Premierliga është pezulluar përkohësisht për shkak të përhapjes së koronavirusit dhe ende nuk është e qartë se nuk do të rinisë kampionati, transmeton Gazeta Express.
UEFA ka kërkuar që kampionatet në Evropë të përfundohen deri më 30 qershor, ndërsa Premierliga ka bërë të ditur se ndeshjet nuk do të kthehen të paktën deri më 2 maj, por kjo datë mund të shtyhet edhe më tutje nëse situata nuk përmirësohet.
Manchester Unitedi i ka anuluar edhe seancat stërvitore dhe lojtarët kanë marrë programe individuale për t’u stërvitur sa të jenë në shtëpi. Përmes një video të postuar në faqen zyrtare të klubit, Mata bëri thirrje që të gjithë të rrinë të qetë dhe t’u besojnë ekspertëve.
“Ne jemi duke kaluar mirë. Natyrisht, jemi në shtëpi, po tentojmë ta mbajmë formën, por stërvitem në të gjitha mënyrat që mundemi, po bëjmë ushtrime në shtëpi dhe po tentojnë ta mbajmë formën, të rrimë të qetë dhe të kemi durim”, ka thënë Mata.
“Të jesh i durueshëm dhe i qetë është e vetmja gjë që mund ta bësh tani. Ne duhet të presim dhe t’u besojmë ekspertëve deri sa të kemi mundësi të luajmë futboll sërish”. /Gazeta Express/