Një apel për Kryeministrin dhe Ministrin e Shëndetësisë: Kjo është lufta jonë - Gazeta Express
string(76) "nje-apel-per-kryeministrin-dhe-ministrin-e-shendetesise-kjo-eshte-lufta-jone"

Një apel për Kryeministrin dhe Ministrin e Shëndetësisë: Kjo është lufta jonë

Gazeta Express

15/03/2020 14:50

Kosova ka mungesë mjekësh, shtretërish dhe organizimi. Dhe ky nuk është panik. Kjo nuk është propagandë.

Berat Buzhala

Lexo Edhe:

Të dashur udhëheqës,

Unë jam i bindur që të dytë ju e keni lexuar dhe e keni dëgjuar kryeministrin historik të Mbretërisë së Bashkuar në fjalimin e tij të parë para parlamentit, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, kur ai i ishte drejtuar qytetarëve të tij me fjalët: “Unë ju premtoj juve gjak, djersë dhe lotë.” Ky kishte qenë një moment i rëndësishëm i kthesës, jo veç për britanikët, por për të gjithë njerëzimin. Udhëheqësi i ishullit të fundit të rezistencës kundër nazizmit ishte treguar i sinqertë me qytetarët e tij, por edhe me armikun. Ua kishte bërë të ditur të gjitha palëve se sa i gatshëm ishte për sakrificë.

Në të dy Luftërat Botërore, ne kemi qenë në bisht të ngjarjeve. Kemi qenë personazhe jointeresante për të gjitha palët e përfshira. Disa dekada më vonë, ne e kishim luftën tonë të parë botërore, kundër një armiku jo më pak brutal sesa nazistët e Hitlerit. Ne që i kemi mbi 30 e kusur vjet e dimë më së miri se si jemi gjetur gjatë asaj kohe. Të përballur me një kundërshtar shumë herë më të fuqishëm sesa që ishim ne, të harruar dhe në mëshirën e fatit, atëbotë secili prej nesh ishte shndërruar institucion në vete. Ndahej vëllai më vëllanë, babai me djalin, nëna me të bijën. Njëri mendonte që ajo rrugë ishte rruga e duhur, tjetri mendonte që ajo tjetra. Njëri mendonte që duhej mësyer Maqedoninë, tjetri Shqipërinë, e tjetri të qëndronte në mal edhe për ca kohë. Dramë e paparë njerëzore. Lotë dhe dhimbje. Zëri i vetëm që mund të tregonte diçka, që mund të jepte ndonjë këshillë për hapat e mëtejshëm ishin korrospondentët e radiove të huaja, e të cilët gjithashtu në një moment ikën nga Kosova.

Çfarë kanë lidhje këto ngjarje me ngjarjet e sotshme? Pse duhet ta rikujtoj luftën e fundit me atë çfarë po ndodh sot, kur sot në rrugët e Prishtinës dhe në rrugët e krejt Kosovës nuk ka policë serbë të armatosur? Kur ne realisht jemi të lirë të shkojmë deri në shitore ose të dalim edhe deri në vendet tona të punës?

Po pra, kur ne sot…! Ne sot ende mund të dalim e ndoshta edhe mund të buzëqeshim, anipse gradualisht buzëqeshja do të fillojë të ngrihet në buzët tona. Edhe më tutje po flasim për një familje në një fshat në Viti dhe për një rast në Malishevë. Thellë në zemrat tona po e ndiejmë që ky mund të jetë vetëm fillimi. Dëshirojmë të shpresojmë që ndoshta kur të zgjohemi të nesërmen, do të lexojmë që gjërat në Evropë kanë filluar të kthehen për së mbari, që Italia e futi krizën nën kontroll, që në Amerikë rastet po zvogëlohen, që në Britani të Madhe kryeministri Johnson doli fitues me strategjinë e tij ndaj këtij problemi. Mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh. Evropa gradualisht po ngulfatet. Për çdo ditë po rritet numri i të prekurve, për çdo ditë po rritet numri i figurave publike që po testohen pozitivisht, për çdo ditë po lexojmë që edhe shtetet me ekonomitë më të zhvilluara në planet nuk kanë plan të duhur për këtë lëngatë. Rajoni i Lombardisë, në Italinë veriore, është pjesa më e pasur në Evropë. Ata e kanë (e kishin) një sistem shëndetësor jashtëzakonisht të konsoliduar. Mirëpo mjaftuan një fluks prej mijëra të prekurve dhe një panik qytetare dhe sistemi kolapsoi. Spitalet nuk kanë më vende, mjekët mungojnë, mungojnë edhe ilaçet. Gazetarët po raportojnë qysh pacientët po tmerrohen prej faktit që shtrati i tyre i shërimit gjendet diku në një lëndinë, kurse në vend të mureve dhe kulmit, ai është nën një tendë. Mjekët po detyrohen të zgjedhin se cilin ta shpëtojnë dhe cilin ta lënë të vdesë. Kjo thuhet që është trauma më e madhe profesionale. Që në mungesë të kohës, në mungesë të kushteve, mjeku të heqë dorë prej dikujt, që në rrethana normale do të mund të shërohej. Italia nuk ka respiratorë të mjaftueshëm.

Pra, kur ende sëmundja nuk e ka infektuar as 2-3 për qind të popullatës së përgjithshme të kontinentit tonë, sistemet e avancuara shëndetësore kanë rënë në të dy gjunjtë. Është krejt ndryshe puna, nëse shtetet ose shoqëritë do të përballeshin me termete dhe fatkeqësi të tmerrshme natyrore. Ato shkaktojnë mijëra viktima, lënë njerëz pa kulm mbi kokë, mirëpo ndihma dhe solidariteti prej shoqërive të tjera është enorm. Çdokush vjen në ndihmë. Mjekë prej të gjitha pjesëve të botës dynden për në vendin e krizës. Derdhen miliona dhe miliarda euro ndihma. Sot, kjo është e paimagjinueshme. Ka rënë “tërmet” në çdo shtet dhe në çdo shoqëri. Çdokush po lufton për popullin e vet.

Ku jemi ne?

Qeveria e Kosovës dhe Ministria Shëndetësisë i kanë marrë masat e tyre. Mirëpo masat e marra deri më tash janë masa teknike. Janë masa ligjore. Ndalohen fluturimet dhe mbyllen kufijtë. Mbyllen restorantet dhe lokalet e natës. Sensibilizohet publiku për rrezikun. Shteti futet në karantinë, kurse në kuadër të shtetit krijohen edhe disa karantina më të vogla komunale, ku besohet që po krijohen disa vatra të krizave.

Mirëpo a mjaftojnë këto? Jo, as për së afërmi. Të gjitha këto do të duhej të quheshin masa paraprake që bien nën mandatin e ministrit të transportit ose ministrive të tjera, që nuk kanë asgjë të bëjnë me shëndetësinë. Thelbi është dikund tjetër. Është te shëndetësia, sepse këtë herë armiku i vërtetë nuk pritet të vijë në rrugë ajrore dhe tokësore. Fatkeqësisht, tash atë e kemi brenda. Në trupat tanë. Tash duhet ta nisim luftën e vërtetë për ta mposhtur këtë armik të padukshëm, e i cili mund të mposhtet vetëm në spitale dhe vetëm nga mjekët. Pra, rrugët i kemi bllokuar, restorantet i kemi mbyllur për ta pasur luftën më të lehtë. Mirëpo kjo nuk është bërë për t’i braktisur qytetarët. Për t’i braktisur fëmijët, që tash mund të mbesin pa prindër dhe pa ndihmën e duhur.

Unë jam i tmerruar nga prospekti i asaj çfarë do të mund të ndodhë me ne, nëse qeveria nuk zgjohet nga gjumi.

Veç ideja që në vendin tonë është vetëm një qendër ku kryhen testet është lemeritëse. Veç ideja që ne i kemi në tërë Kosovën rreth 50 mjekë infektologë është e tmerrshme. Veç ideja që e gjithë QKUK-ja i ka vetëm 60 respiratorë është e frikshme.

Kjo sëmundje, në bazë të asaj çfarë po shohim që po ndodh gjetkë, i godet rëndë organet e frymëmarrjes. Edhe po t’i kishim 600 respiratorë, do të ishin pak. Edhe po t’i kishim ndoshta 6000, do të ishin pak. Ne po futemi në luftë me mungesën e armës kryesore. Mos të flasim pastaj për mungesat e maskave dhe rrobave izoluese të personelit mjekësor. Ne të gjithë do të donim që sot personeli mjekësor të sakrifikohej për të mirën e përgjithshme, mirëpo askush nuk mund të kërkojë nga askush që të trajtojë një pacient të prekur nga koronavirusi pa maskë, pa rroba mbrojtëse dhe pa dorëza.

Prandaj, është momenti që të shikohen të gjitha mundësitë – për ato financiare nuk po flasim – që të blihet çdo gjë që mund të blihet në tregun botëror, duke u nisur nga maskat, respiratorët, laboratorët për analiza për t’u përballur me krizën që sa do të vijë e do të rëndohet në javët në vijim. Kosova nuk do të duhej të kishte temë tjetër në tavolinë. Urgjentisht qeveria duhet që t’i ftojë në vende të punës të gjithë ata mjekë dhe atë staf mjekësor që është pensionuar. Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme dhe kushdo që merr vesh në mjekësi, kushdo që ka në gjak sado pak humanizëm, duhet që të ndahet nga familja e tij dhe të bëhet pjesë e kësaj lufte.

Në proces e sipër, gjatë kësaj kohe, janë bërë shumë gabime që nuk do të duhej të bëheshin. Aeroporti i Prishtinës, prurjet prej Italisë, do të duhej të ishin mbyllur para shumë kohësh. Të ardhurit prej vendeve të dyshimta do të duhej të ishin futur në karantinë për dy javë. Një gjë e tillë as tash nuk është vonë për t’u bërë. Sot e kësaj dite, në vendin tonë futen shtetas të Kosovës, të cilët lihen të lirë në momentin që i nënshtrohen disa pyetjeve dhe matjes së temperaturës në aeroport. Tashmë të gjithë e dimë që temperatura në aeroport e as një kontroll minimal mjekësor nuk janë kurrfarë garancie që i njëjti ose e njëjta është e gatshme për t’u bërë bashkë me familjen. Disa këshilla të dhëna dje nga ish-ministri Uran Ismaili për krijimin e një hapësire për karantinë do të duhej të merreshin parasysh. Kjo nuk është kohë për veprime partizane e as për inate nga e kaluara. Të gjithë duhet të dëgjohen, të gjithë duhet të merren parasysh.

Kryeministri i Kosovës është në testin më të rëndësishëm në jetën e tij. Kjo është periudha më e rëndë për popullin tonë që nga lufta e fundit, përveçse këtë herë nuk mund të ndihmojnë as forcat e NATO’s. Secili popull dhe secila qeveri po lufton për vete. Edhe ne duhet duhet ta bëjmë të njëjtën gjë. Për momentin, organizimi është i frikshëm. Kjo është koha për të premtuar dhimbje, lotë dhe djersë. Me problemet e tjera do të merremi më vonë.