Tre të zgjedhurit e KLGJ për Gjykatën e Lartë, Presidenti 10 ditë kohë për emërimet - Gazeta Express
string(82) "tre-te-zgjedhurit-e-klgj-per-gjykaten-e-larte-presidenti-10-dite-kohe-per-emerimet"

Gazeta Express

06/03/2020 9:05

Tre të zgjedhurit e KLGJ për Gjykatën e Lartë, Presidenti 10 ditë kohë për emërimet

Gazeta Express

06/03/2020 9:05

Gjykata e Lartë, brenda muajit mars, do të ketë 3 anëtarët e rinj, emrat e të cilëve iu dërguan dje Presidencës si organ emërtese.

Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda, të tre kandidatë jomagjistratë e që vijnë nga bota akademike, kaluan të gjitha fazat e verifikimit të kryera nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërsa disa ditë më parë u intervistuan për të dhënë qasjen e tyre rreth asaj që duhet të jetë Gjykata e Lartë me ndryshimet ligjore të vitit 2016.

Duke iu referuar Kushtetutës, brenda 10 ditësh nga dërgimi i emrave, Presidenti duhet të shqyrtojë kandidaturat e të marrë një vendim. Presidenti ka dy opsione, emërimin ose mosemërimin në rast të konstatimit të mosplotësimit të kushteve për kandidatët. Megjithatë, dekreti për mosemërim të kandidatit humb fuqinë “kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor”. Në këto kushte, kur organi propozues është vetë KLGJ, duket se 3 kandidatët janë vetëm 25 ditë larg vendit në Gjykatën e Lartë.

GJYKATA E LARTË

Gjykata e Lartë duhet të ketë 19 anëtarë, të emëruar në detyrë me dekret të Presidentit të Republikës dhe propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Në mbledhjen e djeshme, KLGJ nisi procedurat për përzgjedhjen e kandidatit të katërt për këtë Gjykatë, e cila ka një ngarkesë prej më shumë se 35 mijë dosjesh në pritje të shqyrtimit. “Këshilli i Lartë Gjyqësor po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin për pozicionin e katërt nga radhët e juristëve të spikatur, si edhe vendosi në mbledhjen e datës 26.2.2020 hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë”, njoftoi dje KLGJ.

KANDIDATËT

Sokol Sadushaj aktualisht është drejtor i Shkollës së Magjistraturës dhe kërkon që të jetë pjesë e Gjykatës së Lartë në fushën e së drejtës administrative. Sadushi e ka nisur detyrën si prokuror në vitin 1986 në Prokurorinë e Vlorës, ndërsa ndër vite ka punuar si pedagog dhe ka qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese. Ilir Panda ka përfunduar studimet në vitin 1986 dhe gjatë viteve ka qenë pedagog, avokat, specialist në institucionet e drejtësisë si dhe ministër i Drejtësisë. Ervin Pupe është kandidati i tretë. i cili është pedagog në Universitetin e Tiranës për të drejtën civile.

QASJA PËR ZGJIDHJEN E STOKUT

Gjatë intervistave, kandidatët u pyetën nga anëtarë të KLGJ-së në lidhje me mënyrën sesi mund të përballohej numri i lartë i dosjeve. Tre kandidatët dhanë pothuajse të njëjtën zgjidhje të mundshme, duke iu referuar dhe rolit të ri që, sipas tyre, i kanë dhënë ndryshimet ligjore të vitit 2016 Gjykatës së Lartë. “Kjo gjykatë duhet të jetë gjykatë ligji dhe jo provash”, tha drejtuesi i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushaj. Ndërsa më tej, edhe dy kandidatët, Ilir Panda dhe Ervin Pupe argumentuan se vendimet unifikuese, pilote, do të mund t’u jepnin zgjidhje disa dosjeve njëherësh. Sipas juristëve, Gjykata e Lartë duhet të japë vendime unifikuese dhe interpretimi i tyre të jetë i njëjtë dhe për gjykatat e tjera. Kjo do të zgjidhte shumë çështje.

Teksa pranuan që numri i lartë i proceseve në këtë Gjykatën e Lartë është shqetësues, ata thanë që ky problem nuk ka ardhur vetëm nga shkrirja, por edhe për arsye të tjera që lidhen me rekurse të panumërta e “abuzive”. “Në Gjykatën e Lartë mund të krijohet një seksion që të analizojë një grup çështjesh. Nëse çështjet grupohen, Gjykata e Lartë mund të japë vendime pilot. Kjo është një punë që mund të bëhet edhe me ndihmën e KLGJ. Ky grup që do ndihmojë në selektimin e këtyre dosjeve, mund të jetë edhe i përkohshëm. Unë kam bindjen që shumë rekurse janë abuzive. Mundet që në këtë pikë Gjykata të jetë më aktive”, tha pedagogu i së drejtës civile, Ervin Pupe.

Edhe kandidati Ilir Panda në fjalën e tij tha se duhet të ketë disa kritere që të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë dhe vendimet e saj duhet të jenë detyruese për Gjykatat më të ulëta dhe palët në proces. “Mendoj se përmes veprimtarisë së saj, Gjykata e Lartë të bindë palët pjesëmarrëse, që për të shkuara te rekursi, duhet t’u mbushet mendja të gjithë anëtarëve që çështjet kanë rëndësi të madhe”, u shpreh Panda.