Dy fytyrat e faraonit - Gazeta Express
string(21) "dy-fytyrat-e-faraonit"

Dy fytyrat e faraonit

Gazeta Express

27/02/2020 14:39

Hosni Mubarak ishte një udhëheqës autokrat, nën të cilin opozita radikale – në veçanti ajo islamike – nuk u tolerua. Por sundimi i tij shtypës ishte një punë modeste në krahasim me atë të udhëheqësve të tjerë arabë dhe ruajtja e paqes me Izraelin prej tij dha përfitime reale për egjiptianët e zakonshëm

Autor: Shlomo Avineri

Lexo Edhe:

Historiani romak Salusti komentoi se mënyra se si shtetet krijohen përcakton mënyrën se si ato sundohen. Ky diktat mund të shihet si i vlefshëm edhe për sundimtarët. Për më shumë, në shumë raste, mënyra se si përfundon pushteti i sundimtarit përcakton edhe mënyrën se si sundimi i tij do të mbahet mend.

Ky duket se është edhe rasti i ish-presidentit të Egjiptit Hosni Mubarak, i cili u rrëzua nga protestat popullore masive kundër sundimit të tij, i cili ishte një sundim autoritar, shtypës, i korruptuar dhe nepotist.

Që të jemi të qartë, Mubaraku ishte një sundimtar autokratik, nën të cilin opozita radikale – në veçanti ajo islamike – nuk u tolerua. Zgjedhjet ishin false, forma hierarkike e qeverisjes kontrollonte popullsinë përmes një numri policish sekrete (“Shteti Mukhabarat”), dhe sistemi me të cilin ai u identifikua ishte gjithçka tjetër por jo i lirë.

Gjithsesi, në krahasim me diktaturat brutale të Sadam Huseinit në Irak, Bashar al-Asadit në Siri apo Muamar el-Gedafit në Libi – si dhe me despotizmin teokratik në Arabinë Saudite – autokracia e Mubarakut ishte në krahasim më e butë. Udhëheqësit e opozitës sulmoheshin dhe me raste burgoseshin, por nuk ekzekutoheshin në masë, siç ndodhte në Siri apo Irak. Edhe Vëllazëria Myslimane, u ndalua si organizatë politike por u lejua të zhvillojë rrjetet e saj kulturore, gjë që shpjegon suksesin e saj fenomenal më 2012, në zgjedhjet parlamentare të lira si dhe fitoren e garës presidenciale po atë vit.

Nëse do t’i jepej mundësia për të zgjedhur, shumica e arabëve do të pëlqenin të jetonin nën Mubarakun më shumë se sa nën Sadamin apo Asadit. Dhe, kur fati i tij u përmbys (dhe pas përgjigjes fillestare të dhunshme ndaj valës së papritur të demonstratave), Mubaraku zgjodhi të japë dorëheqjen dhe jo të hapte zjarr ndaj protestuesve. Sadami apo Gedafi nuk kishin dilema në këtë drejtim; dhe as Asadi.

Përtej kësaj, Mubaraku – i cili erdhi në pushtet pasi një terrorist islamik vrau paraardhësin e tij Anuar Sadat – i dha popullit të vet 30 vjet paqe. Vendimi i tij strategjik për të respektuar traktatin e paqes me Izraelin që kishte nënshkruar Sadati – i cili e hoqi Egjiptin nga gjendja e luftës me Izraelin, e cila e kishte varfëruar vendin që prej shumë dekadash dhe kishte shkaktuar disfata të njëpasnjëshme – nuk ishte një vendim i lehtë. Dhe kjo politikë nuk ishte shumë e lehtë përballë hapave të ashpër dhe në disa raste provokuese të qeverive të krahut të djathtë në Izrael kundër palestinezëve.

Për të ruajtur paqen me Izraelin përballë dy luftërave të këtij vendi me Libanin dhe fushatës brutale kundër Hamasit në Gaza më 2008, kërkohej një vendosmëri me kurajë, veçanërisht përballë faktit që shumica e grupimeve të opozitës në Egjipt – nga nacionalistët naseristë të krahut të majtë te Vëllazëria Myslimane – ishin gjithmonë në kundërshtim me traktatin e paqes.

Për Mubarakun, imperativa supreme për të mos shtyrë Egjiptin drejt luftës u përcaktua jo vetëm nga nevoja për të mbajtur vijën e financimit për mbijetesë nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga një të kuptuar të thellë të prioriteteve të vërteta të vendit të tij. Udhëheqësit e mëparshëm të Egjiptit – Gamal Abdel Naseri mbi të gjitha – e shtyu vendin dy herë jo vetëm në disfata përballë Izraelit, por edhe në një luftë civile të tmerrshme në Jemen.

Megjithëse ai nuk e tha kurrë publikisht, motoja e Mubarakut ishte “Kurrë më,” ose, në gjuhën e Sadatit në fjalimin e tij para Kneset në Jeruzalem: “Jo luftë, jo dhunë, jo urrejtje.” Kjo pjesë e trashëgimisë së Mubarakut nuk duhet të lihet mënjanë apo të harrohet.

Tridhjetë vjet paqe me Izraelin i dhanë Egjiptit mundësinë për rritje ekonomike dhe zhvillim. Egjipti nuk e kapërceu varfërinë e vet sistematike, por segmente të mëdha të shoqërisë së Egjiptit fituan një mirëqenie të moderuar prej klase të mesme. Çdokush që viziton Kajron mund të shohë dallimin që bëri paqja në jetët e përditshme të miliona egjiptianëve: fëmijët e tyre mbushën sheshin Tahrir më 2011 me anglishten e mirë, xhinset e modës, celularët dhe llogaritë në Facebook a Twitter. Ishin ata, jo fellahin (fshatarët) e Luginës së Nilit dhe Deltës, të cilët rrëzuan Mubarakun.

Por kjo mirëqenie relative kishte edhe anën e vet të errët: nepotizëm, korrupsion masiv, kulturë politike servilësh dhe lajkatarësh dhe një shpërndarje jashtëzakonisht të pabarabartë të pasurisë dhe privilegjeve. Ndërsa stili i Mubarakut në vitet e fundit të regjimit të tij u shfaq gjithnjë e më shumë personal dhe dinastik, në rrënjë ai mishëronte rolin që ushtria ka luajtur në politikën e Egjiptit që nga grushti i shtetit i vitit 1952.

Ishte ushtria që shpëtoi Egjiptin nga kombinimi i trazirave të brendshme me fanatizmin fetar dhe kjo është arsyeja se pse sauditët për shumë vite u përpoqën të minonin sundimin e ushtarakëve në Egjipt. Marrja e pushtetit nga ushtria u pasua gjithashtu nga një lloj tradite në të cilën ushtria u bë mbajtësi i ligjshëm i pushtetit politik në vendet arabe (dhe në shumë vende të tjera myslimane).

Kjo i shoqërua me bërjen e kupolës së ushtrisë jo vetëm shumë të fuqishëm, por gjithashtu edhe jashtëzakonisht të pasur, gjë që u kthye në një burim madhor pakënaqësie ndaj rolit të Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura, institucioni u doli në ballë pasi bashkëpunoi me demonstruesit për rrëzimin e Mubarakut. Duke rrëzuar Mubarakun, gjeneralët shpresuan se do të ruanin kontrollin mbi shoqërinë e Egjiptit. Mubaraku mund të kishte qenë një faraon, por në fund të fundit, ai ishte vetëm maja e piramidës së sundimit të ushtarakëve.

Dilemat historike të vendit nuk u zhdukën me rënien e Mubarakut. Të rinjtë e artikuluar dhe të arsimuar dhe që u bënë fytyra e demonstratave në CNN dhe Al Jazeera më 2011 janë në fakt një segment i vogël në një vend me 100 milionë njerëz. Shumica e egjiptianëve nuk kanë llogari në Facebook – apo akses të mirë në energjinë elektrike apo ujë të pijshëm të rrjedhshëm. Kur iu dha mundësia, shumica e tyre votuan më 2012 për fondamentalistët islamikë – ose saktësisht për një regjim të ngjashëm me atë të Mubarakut që premtonte kthim te një rend më i vjetër – në vend që të mbështeste kërkesat e demonstruesve liberalë të shtresës së mesme.

Demokracia ka nevojë për demokratë. Në Egjipt këta janë ende të paktë në numër. Fati i Mubarakut dhe trazirat politike që pasuan rënien e tij, reflektojnë këtë tragjedi më të thellë në shoqërinë egjiptiane.

/Project Syndicate