Kryetari i Novobërdës dënohet me tremijë euro gjobë për keqpërdorim pozite - Gazeta Express
string(74) "kryetari-i-novoberdes-denohet-me-tremije-euro-gjobe-per-keqperdorim-pozite"

Kryetari i Novobërdës dënohet me tremijë euro gjobë për keqpërdorim pozite

Gazeta Express

19/02/2020 17:57

Kryetari i Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, është dënuar me pesë muaj burg, pasi që shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Por, me pëlqimin e të akuzuarit, Gjykata Themelore në Gjilan, dënimin me burg atij ia ka zëvendësuar me gjobë, në shumë prej tremijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.I akuzuari Ivanoviq, po ashtu është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 50 euro, si dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Lexo Edhe:

Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën, nga kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi, Ivanoviq, dënimin me gjobë duhet ta paguajë brenda 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndërkaq, Komuna e Novobërdës dhe i dëmtuari Hysen Zeqiri, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, janë udhëzuar në kontest civil.

Ndaj këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Maliqi, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2018, pretendohet se më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i akuzuari si person zyrtar, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja” ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve “Ujku”, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e Komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune.

Me një veprim të tillë, prokuroria pretendon se i njëjti i ka shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 euro.

Ndryshe, në mars të vitit 2017, Gjykata Themelore në Gjilan, e kishte dënuar me 4,500 euro gjobë kryetarin e Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq, me arsyetimin se ai ishte gjetur fajtor në një rast tjetër, për dy vepra tjera penale, atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt të interesit. /BetimipërDrejtësi