Yagcilar ia jep Thaçit Ministrinë e Kulturës për Zyra, punëtorët paralajmërojnë grevë - Gazeta Express
string(84) "yagcilar-ia-jep-thacit-ministrine-e-kultures-per-zyra-punetoret-paralajmerojne-greve"

Gazeta Express

18/12/2019 18:42

Yagcilar ia jep Thaçit Ministrinë e Kulturës për Zyra, punëtorët paralajmërojnë grevë

Gazeta Express

18/12/2019 18:42

Presidenti Hashim Thaçi po e jetëson planin për të dalë në zyrat e reja. Disa qindra metra më në qendër të Prishtinës, ai mund të zhvendoset pasi të rinovohet objekti  i Ministrisë së Kulturës për të cilin sot Ministri i  Administratës Publike Mahir Yagcilar vendosi që t’i kalojë shefit të shtetit. Por, kundër këtij vendimi të Yagcilarit kanë dalë punëtorët e Ministrisë së Kulturës. Nga Këshilli Organizativ i Protestës (KOP), shprehen të pakënaqur me zhvendosjen e punëtorëve nga objekti i tyre. Sipas tyre greva do të mbahet e plotë dhe do të ndërpriten të gjitha shërbimet administrative për të cilat është përgjegjëse administrata e MKRS’së deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

GAZETA EXPRESS

Hashim Thaci mund të nisë planet këtë dimër  që të largohet nga “strofullogu” i vjetër. Kjo pas një vendimi që gjatë ditës së sotme ka marrë ministri Mahir Yagcilar për largimin e punëtorëve të Ministrisë së Kulturës dhe zhvendosjen e presidencës në këtë ministri.

Gazeta Expresss ka siguruar dokumentin e nënshkruar nga Ministria e Administratës Publike e cila e ka aprovuar kërkesën e presidencës për zhvendosjen e stafit në Ministrinë e Kulturës.

Përmes vendimit, obligohen Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të marrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Por kundër këtij vendimi tashmë kanë dal Këshilli Organizativ nga MKRS. Ata do të organizojnë protestë në shenjë revolte ndaj vendimit të ministrisë së Administratës.

Në bazë të vendimit, Këshilli Organizativ i Protestës ka shpallur grevë të përgjithshme në vendin e punës për të gjithë stafin e punësuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas Këshillit, greva do të mbahet çdo ditë në objektin e ministrisë ose përreth objektit të Ministrisë së Kulturës.

E zhvendosja e Presidencës në zyrat e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë, pa u bërë zgjidhje për vendosjen e qindra punëtorëve të këtyre dy ministrive në një objekt publik ku nuk paguhet qira, nënkupton rritje të shpenzimeve qeveritare për qira.

Kështu ka deklaruar kohë më parë Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Ai thotë se është e natyrshme që Presidenca të jetë e vendosur në një objekt më reprezentativ dhe më të përshtatshëm, siç është objekti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë, por thotë se kjo duhet të ndodhë krahas ndërtimit të objektit ose gjetjes të zgjidhjes për akomodim të dy ministrive.

“Përndryshe, do të rriten shpenzimet për qira për qindra mijëra euro në vit, të cilat edhe tash janë të larta. Nuk mund të rritet komoditeti i zyrtarëve publikë në kurriz të shpenzimeve publike, me gjithë respektin për institucionin më të lartë të shtetit që është Presidenca”, shkruan Hoti.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, ndërtesa ku për vite me radhë funksionoi Ministria e Kulturës, do t’i kalojë në shfrytëzim Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement