Ndërhyrjet politike po e rrezikojnë Kosovën në UEFA e FIFA - Gazeta Express
string(58) "nderhyrjet-politike-po-e-rrezikojne-kosoven-ne-uefa-e-fifa"

Ndërhyrjet politike po e rrezikojnë Kosovën në UEFA e FIFA

Valon Konushevci

03/12/2019 13:01

UEFA e FIFA e kishin pezulluar Shqipërinë në vitin 2008 vetëm për shkak se Ministria e Sportit insistonte për të bërë auditim në FSHF. Shqipëria u kthye në UEFA e FIFA vetëm pasi Qeveria u detyrua të heq dorë nga auditimi dhe t’i kërkojë falje publike FSHF-së. Gazeta Express sjell në mënyrë kronologjike situatën e krijuar në futbollin e Kosovës dhe implikimet e faktuara politike që duken më flagrante sesa ato në Shqipëri në vitin 2008. Natyrisht që e rrezikojnë simpatinë që e ka fituar Kosova në futbollin ndërkombëtar bashkë me pezullim.

Në një kohë kur garat kampionale në futbollin kosovar kanë hyrë në vlugun e tyre, e po ashtu në një kohë kur Kombëtarja e Kosovës po iu afrohet ndeshjeve vendimtare për kualifikim në “Euro 2020” përmes Ligës së Kombeve, në Federatën e Futbollit të Kosovës ka nisur një kryengritje e disa zyrtarëve, të përkrahur nga disa figura politike jashtë federatës.

Lexo Edhe:

Një argat në këtë drejtim e ka dhënë edhe Zyra Ligjore e Ministrisë së Sportit. Kësaj të fundit i janë dashur rreth 17 muaj për ta vlerësuar nëse ka qenë apo jo i rregullt Kuvendi i FFK-së i datës 6 korrik 2018, në të cilin Agim Ademi ishte zgjedhur kryetar i FFK-së si pasues i Fadil Vokrrit të ndjerë.

Vokrri në vitin 2016 kishte fituar mandat katërvjeçar. Por vdekja e papritur e tij kishte bërë që të mbahet një Kuvend për ta zgjedhur pasuesin e tij. Kryetar pa asnjë votë kundër ishte zgjedhur Agim Ademi, i cili nga dita e parë thoshte se ka fituar mandat katërvjeçar.

Për këtë fitore Ademi ishte uruar nga UEFA, FIFA, Ministria e Sportit dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) të cilat e kishin monitoruar atë Kuvend dhe për to atëherë gjithçka ishte në rregull.

Por, dy institucionet vendore tani kanë ndryshuar qëndrimet. Implikimet politike e kanë bërë të veten. KOK-u thotë se viti 2020 është fillim i një cikli të ri olimpik katërvjeçar për çka të gjitha federatat duhet t’u nënshtrohen zgjedhjeve, gjë që nuk e pranon dot Agim Ademi, i cili insiston se ka fituar mandat katërvjeçar. Siç dihet, KOK-u kryesohet nga Besim Hasani, kurse Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës është nënkryetar. Ndërkohë, sekretar i KOK-ut është Shasivar Haxhijaj, i cili ka një karrierë krejtësisht politike si anëtar i partisë së Memli Krasniqit. Për më tepër Haxhijaj ishte këshilltar i Krasniqit, kur ky i fundit ishte ministër i Ministrisë së Sportit.

Ndërkohë, trazimi i madh i futbollit kosovar ndodhi të hënën kur Ministria e Sportit, e cila udhëhiqet nga ministri në largim i PDK-së, Kujtim Gashi, pas një viti e gjysmë prej zgjedhjes së Agim Ademit kryetar e dha një opinion ligjor, i cili është në disfavor të Ademit dhe në favor të një grupi opozitar të përkrahur nga politika.

Opinioni ligjor i Zyrës Ligjore të Ministrisë së Sportit thotë se ka pasur shkelje me rastin e zgjedhjes së Agim Ademit në postin e kryetarit të FFK-së, më 6 korrik të vitit 2018. Interpretimi ligjor ka të bëjë me mosrespektim të afateve e nuk merret me kohëzgjatjen e mandatit të Ademit.

Por, në ditën e mbajtjes së Kuvendit, ku i pranishëm ishte edhe vet ministri Kujtim Gashi, për të gjithçka ishte në rregull.

“Në kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor të FFK-së, në prani të përfaqësuesve nga FIFA dhe UEFA, sot u zgjodh kryetari i ri i federatës Agim Ademi. Kryetarit të ri i urojmë zgjedhjen në krye të FFK-së, me shpresë se do ta trasojë vizionin largpamës të ish kryetarit, legjendës së futbollit, Fadil Vokrri”, kishte shkruar atë ditë ministri Gashi në profilin e tij në “Facebook”.

Pas pak ditësh ministri Gashi kishte shkuar edhe në FFK te Agim Ademi për t’i dhënë përkrahje. Shprehej i gëzuar që delegatët kishin qenë të bashkuar në Kuvendin e zgjedhjes së Ademit në postin e kryetarit.

“Sot vizitova Federatën e Futbollit të Kosovës, ku e urova Agim Ademin për pozitën e kryetarit të FFK-së, derisa i ofrova vazhdim të përkrahjes dhe bashkëpunimit nga ministria që drejtoj. Një konsistencë e punës së madhe që ka bërë kryetari i ndjerë Fadil Vokrri. Ajo që është shumë me rëndësi jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe i lumtur që delegatët që kanë marrë pjesë në kuvendin zgjedhor e që kanë qenë jashtëzakonisht unik dhe të përgjegjshëm për të vazhduar punën e madhe që kishte nisur kryetari i ndjerë Vokrri dhe sot isha aty për ta rikonfirmuar mbështetjen e Ministrisë së Sportit dhe Qeverisë së Kosovës për FFK-në dhe të gjithë futbollistët”, kishte shkruar Gashi në “Facebook”.

Por, tani gjërat kanë ndryshuar. Opinioni ligjor i kësaj ministrie të hënën i dha mundësi një grupi opozitar të Agim Ademit, të përkrahur nga figura politike, që të fillojnë të mbledhin nënshkrime për ta rrëzuar të parin e FFK-së.

Express ka provuar të kontaktojë me ministrin në detyrë Kujtim Gashi sepse ka zëra që thonë se ai nuk ka qenë në dijeni me atë që po e përgatiste Zyra Ligjore e Ministrisë së tij. Por kontakti me të ishte i pamundur.

Rolin kryesor e ka marrë zëvendëssekretari i FFK-së, Arianit Ahmeti, i cili në një prononcim për Gazetën Express e konfirmoi kandidaturën për kryetar duke thënë se tashmë i ka siguruar 41 nënshkrime nga 59 delegatë të FFK-së për ta rrëzuar Agim Ademin dhe për ta marrë vet ai postin e kryetarit.

Por, në ndërkohë Gazeta Express faktoj përkrahjen politike për Arianit Ahmetin, angazhimin e të cilit në FFK e kishte ndërmjetësuar Astrit Haraqija në janar të vitit 2017. Kjo konfirmohet sot edhe nga vet FFK, por natyrisht që mohet nga Ahmeti dhe Haraqija. Ndërkohë, në këtë situatë është përfshirë edhe i njohuri i aferës “Pronot”, Adem Grabovci i PDK-së, që i ka dal në përkrahje Ahmetit.  

Express kishte konfirmuar takimet në mes tyre. Ahmeti tha për Express se me Grabovcin njihet nga fshati i tyre i përbashkët dhe se nuk ka përkrahje politike. Por, kur u pyet nga Express se a e njeh Arianit Ahmetin, Grabovci tha se nuk e njeh.

Por, në ndërkohë në media doli një foto ku shihej Arianit Ahmeti bashkë me Adem Grabovcin në një restauruan në Prishtinë, takim i këtyre ditëve.

Kosova rrezikon të pezullohet nga UEFA e FIFA shkaku i ndërhyrjeve politike, shembull Shqipëria

Mjafton që foto e Arianit Ahmetit me Adem Grabovcin të shkojë në zyrat e presidentëve të UEFA-s e FIFA-s, Aleksander Ceferin dhe Gianni Infantino që këto dy organizata t’ia dërgojnë selamin e padëshiruar Kosovës – vërejtje me suspendim.

UEFA e FIFA e patën monitoruar Kuvendin e FFK-së në korrik të vitit 2018. Pastaj, ato e kishin marrë si legjitim zgjedhjen e Agim Ademit për kryetar të FFK-së me një mandat katërvjeçar.

“I dashur president, dua të t’i ofrojë përgëzimet e mia më të sinqerta dhe urimet më të mira me rastin e zgjedhjes si president i Federatës së Futbollit të Kosovës për një mandat katërvjeçar, deri në vitin 2022”, thuhej në letrën që Infantino i FIFA-s ia kishte dërguar Ademit.

Ademi ishte uruar edhe nga Ceferin, presidenti i UEFA-s, ku sot e asaj dite gjendet njoftimi i shtëpisë së futbollit evropian se Ademi ka fituar mandat katërvjeçar.

“Agim Ademi është zgjedhur presidenti i ri i Federatës së Futbollit të Kosovës. 56-vjeçari u zgjodh unanimisht për mandat katërvjeçar në mbledhjen e jashtëzakonshme të FFK-së”, thuhet në uebfaqen zyrtare të UEFA-s, e cila sikurse FIFA, e kishte monitoruar Kuvendin e  FFK-së të mbajtur në Prishtinë.

Përpos që qëndrimet e UEFA-s dhe FIFA-s bien ndesh me qëndrimet e fundit të Ministrisë së Sportit në Kosovë dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, dy organizatat ndërkombëtare njihen për zero tolerancë ndaj ndërhyrjeve politike. Shkaku i politikës UEFA e FIFA kanë ditur të përjashtojnë e pezullojnë plot federata.  

Për Kosovën shembulli më i qartë është ai me Shqipërinë. Së fundmi kreu i FSHF-së, Armando Duka e fitoi mandatin e kryetarit përballë kundërkandidatit Bashkim Fino, i cili ishte i detyruar të zhvishet nga politika për kandidim. Ndërsa, Qeveria Shqiptare dhe pushtet në Komuna ishte i detyruar të mos ndërhyjë në përkrahje të Finos, për çka procesi ishte monitoruar në mënyrë të jashtëzakonshme nga UEFA e FIFA, të cilat ia kishin bërë të qartë Shqipërisë ndëshkimin në rast të ndërhyrjes [politike në garën Duka – Fino, të cilën në fund e fitoi Duka.

Kështu, Shqipëria i shpëtoi ndonjë pezullimi të mundshëm, siç ishte pezulluar në vitin 2008 dhe njëherë tjetër në vitin 1994.

Në vitin 2008 flamuri shqiptar nuk shihej askund në UEFA e FIFA të cilat e kishin pezulluar Shqipërinë vetëm për shkak se Qeveria, respektivisht Ministria e Sportit, kërkonte auditim në Federatën Shqiptare të Futbollit, gjë që kundërshtohej nga FIFA e UEFA.

UEFA e FIFA e kishin kthyer në mesin e tyre Shqipërinë vetëm pasi shteti shqiptar i pranoi kushtet e tyre: Qeveria të hiqte dorë nga auditimi në FSHF dhe të dilte publikisht që të deklarojë se nuk kishte asnjë fakt për akuzat ndaj FSHF-së. /GazetaExpress/