Përderisa ekipi kombëtar i vajzave të Kosovës U17 do të përballet me Austrinë, Greqinë dhe Lituaninë në kualifikueset për EURO 2020/21, Kosova U19 do të përballet me Anglinë, Irlandën dhe Greqinë.
Sot, në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës, u hodh shorti për ndeshjet grupet kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020/21 për ekipet kombëtare të vajzave U-17 për për kombëtaren U-19, raporton Gazeta Express.
Kosova në këtë short u përfaqësua nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, Vjollca Krasniqi, dhe menaxherja e futbollit të vajzave, Valbona Gashi-Uka.
Kosova do të marrë pjesë për herë të parë në këto kualifikime me Kombëtaren e vajzave U17. Në këto kualifikuese janë gjithsej 12 grupe me nga 4 skuadra, derisa Kosova bën pjesë në grupin e 12-të së bashku me Austrinë, Greqinë dhe Lituaninë.
Turneu kualifikues i këtij grupi do të mbahet në Lituani prej 8 deri më 14 tetor të vitit 2020. 28 skuadra do të kualifikohen nga raundi kualifikues në raundin elitë, ku do të jenë 24 skuadrat që do të renditen të parat dhe të dytat në grupet e tyre respektive si dhe 4 vendet e treta më të mira nga 12 grupet që do të sigurojnë biletën për kualifikim tutje.
Ndërkohë, edhe në kualifikueset e kombëtareve U-19, Kosova do të bëjë pjesë në grupin 12, së bashku me Anglinë, Irlandën dhe Greqinë. Turneu kualifikues i këtij grupi do të mbahet në Greqi, prej 21 deri më 27 tetor, 2020. Edhe në këtë grupmoshë kualifikimin në raundin elitë e sigurojnë 28 ekipe. /Gazeta Express/