Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 20 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, të ndodhura gjatë viteve 1998-1999. Gazeta Express mëson se në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor.
Prokuroria Speciale e Kosovës informoi se të pandehurit M.K., R.C., M.D., P.R., S.K.,L.O., Zh.S., S.S.,L.D.,Z.R., D.G.,Ç.B., V.B., R.B.,R.R.,L.R.,M.Sh.,M.R., S.G., T.A., akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, (PJP) dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B.,V.B.,R.B.,R.R.,L.R., M.Sh.,M.R., S.G., T.A., në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartcekura, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policor.
Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. Po ashtu, edhe shtëpitë ishin djegur.