IKD: Ndërprerja e seancës konstituive cenon Kushtetutën, nuk arsyetohet me mungesën e marrëveshjes politike - Gazeta Express
string(105) "ikd-nderprerja-e-seances-konstituive-cenon-kushtetuten-nuk-arsyetohet-me-mungesen-e-marreveshjes-politike"

Lajme

Gazeta Express

06/08/2026 13:10

IKD: Ndërprerja e seancës konstituive cenon Kushtetutën, nuk arsyetohet me mungesën e marrëveshjes politike

Lajme

Gazeta Express

06/08/2026 13:10

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se ky veprim cenon rendin kushtetues dhe nuk mund të arsyetohet me mungesën e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive.

IKD shpreh “shqetësim të thellë” për ndërprerjen e seancës në ditën e fundit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se ushtruesja e detyrës së Presidentes e kishte thirrur seancën në ditën e 30-të, duke u lënë partive politike kohë të mjaftueshme për të arritur marrëveshje.

Sipas IKD-së, “mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të shndërrohet në arsye për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues.”

Instituti rikujton se seanca kishte nisur sipas procedurave të parapara, me verifikimin e kuorumit, betimin e deputetëve dhe miratimin e raportit të Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve.

Megjithatë, sipas IKD-së, në momentin kur Kuvendi duhej të vazhdonte me zgjedhjen e organeve të tij, procedura u devijua drejt deklarimeve politike dhe negociatave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në reagim kritikohet edhe kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare, si dhe vendimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për ndërprerjen e saj.

“Kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare dhe vendimi i kryesuesit Avni Dehari për ndërprerjen e seancës nuk kanë mbështetje në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive,” thuhet në komunikatë.

IKD thekson se, sipas Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat dhe se ajo nuk mund të përdoret për diskutime politike apo për kushtëzimin e konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera, përfshirë zgjedhjen e Presidentit.

Instituti rikujton gjithashtu se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë se Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor dhe se ky është një detyrim kushtetues, jo një afat orientues.

“Mungesa e një sanksioni të përcaktuar nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës. Përkundrazi, përpjekja për ta shfrytëzuar këtë zbrazëti si hapësirë për zvarritje do të përbënte veprim kundërkushtetues,” vlerëson IKD.

Në fund, IKD u bën thirrje deputetëve që të vazhdojnë menjëherë seancën dhe të përfundojnë konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.

“IKD kërkon vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, pa debate, pa improvizime procedurale dhe pa kushte politike. Çdo minutë e humbur në ditën e fundit e afron vendin drejt një shkeljeje të re kushtetuese,” thuhet në komunikatë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement