Deputeti i rizgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka deklaruar se partia e tij e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe do të mbetet në opozitë, ndërsa përgjegjësinë për krijimin e institucioneve ia ka atribuar Lëvizjes Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve.
Lushtaku tha se qëndrimi i PDK-së është i qartë dhe është konfirmuar edhe nga kryetari i partisë, Bedri Hamza.
“Ne i dimë rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe është përcaktuar partia e parë, e dyta, ndërsa ne, si parti politike, kemi marrë pozicionin tonë, e kemi pranuar rezultatin si të tillë dhe kemi qëndrimin në opozitë, siç e ka konfirmuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, zoti Bedri Hamza”, deklaroi ai.
Sipas Lushtakut, përgjegjësia kryesore për formimin e institucioneve i mbetet Vetëvendosjes, ndërsa akuzoi kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti, për mungesë serioziteti në raport me këtë proces.
“Përgjegjësia kryesore i mbetet Vetëvendosjes, por, në bazë të zhvillimeve, po shihet qartë se nuk e merr me seriozitet, edhe kësaj radhe, Kurti, si kryetar i Vetëvendosjes, përgjegjësinë që i takon si parti e parë. Dhe derisa tallet me qytetarët, me situatën në vend, me atë që po e kaplon ekonominë, por edhe vetë qytetarët, sigurisht që ka joseriozitet dhe një lloj papërgjegjësie të lartë të tij. Dhe po e sjell vendin në zgjedhje pas zgjedhjesh, fatkeqësisht, dhe dëmi po u shkaktohet më së shumti qytetarëve”, u shpreh Lushtaku, raporton Eo.
Ai komentoi edhe protestën e disa qytetarëve para Kuvendit, duke kritikuar mënyrën e miratimit të ligjeve.
“Por ja edhe disa protestues. Ligjet që i kanë miratuar në Kuvendin e Kosovës janë të tilla, pa ndonjë komunikim me publikun, pa një diskutim të mirëfilltë me institucionet, dhe kemi ligje të tilla, fatkeqësisht, që dëmtojnë”, tha Lushtaku.