Ditëve të fundit klientë të DHL Kosovae kanë pranuar mesazhe të rreme (SMS), përmes të cilave pretendohet se dërgesa e tyre ka dështuar “për shkak të adresës dhe kodit postar”.
Përmes tyre dërguesit e këtyre sms po u kërkojnë klientëve që “ta përditësojnë adresën sa më shpejt”, duke i orientuar të klikojnë në një lidhje (link) të dyshimtë, me qëllim marrjen e të dhënave personale ose financiare.
Gazeta Express ka siguruar përmbajtjen e këtij mesazhi mashtrues, të cilin e publikon më poshtë me qëllim informimin e qytetarëve ose atyre që pranojnë, në mënyrë që të mos bien pre e këtij mashtrimi dhe të mos klikojnë në lidhjen e dërguar apo t’u përgjigjen mesazheve të tilla.
Përmbajtja e mesazhit mashtrues të cilin rekomandohet që ta fshini menjëherë
(DHL) Njoftim për Dështim të Dorëzimit:
I dashur klient,
Për shkak të adresës së rrugës dhe kodit postar që keni dhënë, stafi ynë nuk mundi ta gjente me saktësi adresën tuaj dhe t’ju kontaktonte me telefon, duke rezultuar në dështimin e dorëzimit të paketës suaj.
Ju lutemi përditësoni adresën tuaj të dërgesës sa më shpejt të jetë e mundur. Ne do të përpiqemi përsëri ta dorëzojmë paketën. Faleminderit për bashkëpunimin tuaj.
Nëse nuk e përditësoni adresën tuaj deri në orën 18:00 më 6 gusht 2026, do të ndodhin pasojat e mëposhtme:
Dorëzimet e mëvonshme do të kenë tarifa shtesë shërbimi.
Meqenëse paketa është shënuar si e vlefshme, ne nuk mbajmë përgjegjësi për ndonjë dëmtim ose humbje.
Nëse adresa nuk përditësohet brenda 72 orëve, paketa mund t’i kthehet dërguesit dhe ju do të jeni përgjegjës për kostot e transportit të kthimit.
Konfirmoni adresën e dërgimit: https://mydhl-express.icu/xk
Shënim: Përditësimet e adresës nuk mund të dërgohen me SMS. Për të marrë këtë njoftim me SMS, ju lutemi përgjigjuni me “1” dhe më pas klikoni lidhjen e mësipërme për të përditësuar informacionin e adresës suaj dhe për të shmangur tarifat shtesë.
Qytetarët këshillohen të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të verifikojnë çdo njoftim për dërgesat vetëm përmes kanaleve zyrtare të DHL.