Arsenali mund të ketë një mundësi të artë për të bërë përparim në përpjekjet për transferimin e Vinicius Juniorit, pasi Real Madridi thuhet se i ka paraqitur ofertën e fundit për rinovimin e kontratës dhe nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim.
Pasi fitoi më në fund një trofe të madh nën drejtimin e Mikel Artetës, Arsenali duket i gatshëm të investojë fuqishëm në afatin kalimtar veror.
Deri tani, kampioni në fuqi i Premierligës ka siguruar transferimin përfundimtar të Piero Hincapies, i cili la përshtypje të mira gjatë huazimit sezonin e kaluar, ndërsa ka afruar edhe anësorin Christos Tzolis dhe portierin rezervë Illan Meslier.
Pas këtyre lëvizjeve, Arsenali është lidhur me disa emra të mëdhenj që pritet të kenë rol të rëndësishëm në formacionin e Artetës, përfshirë edhe një “goditje të dyfishtë” për brazilianët Bruno Guimaraes dhe Vinicius Junior.
Aktualisht besohet se transferimi i Guimaraes në “Emirates” mund të finalizohet në javët në vijim për rreth 80 milionë funte, ndërsa marrëveshja për Viniciusin konsiderohet shumë më e ndërlikuar.
26-vjeçari ka kontratë me Real Madridin deri në qershor të vitit të ardhshëm, çka do të thotë se klubi spanjoll mund të detyrohet ta shesë në muajt e ardhshëm nëse nuk arrin marrëveshje për rinovimin.
Vinicius aktualisht fiton rreth 17.5 milionë euro në vit (15 milionë funte), ndërsa kërkon një kontratë të re me vlerë rreth 30 milionë euro në vit (25.7 milionë funte), përfshirë pagën dhe bonuset, një shumë që tejkalon vlerësimin e Real Madridit.
Megjithatë, pas javësh negociatash, drejtuesit e klubit madrilen thuhet se kanë vendosur ofertën e tyre përfundimtare, duke i propozuar Viniciusit një kontratë me vlerë rreth 22 milionë euro në vit (18.8 milionë funte).
Sipas “ESPN”, ende nuk është bërë e ditur kohëzgjatja e kontratës së re të propozuar, por nëse braziliani nuk e pranon ofertën, Real Madridi do të jetë i hapur për ta shitur gjatë javëve të ardhshme.
Kjo do të thotë se, nëse Vinicius nuk pranon të fitojë rreth 7 milionë funte më pak në vit sesa kishte kërkuar, ai do të dalë në treg dhe Arsenali mund të bëjë më në fund një ofertë zyrtare, me një transferim që pritet të kushtojë mbi 100 milionë funte.
Ky raportim vjen vetëm pak orë pasi u zbulua se pika kryesore e mosmarrëveshjes mes palëve lidhet me bonusin e rinovimit të kontratës.
Si pjesë e paketës së tij prej 25.7 milionë funtesh në vit, Vinicius kërkon edhe një bonus të veçantë për pranimin e vazhdimit të kontratës në “Santiago Bernabeu”, kërkesë që Real Madridi nuk është i gatshëm ta pranojë.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit kanë frikë se pranimi i një kërkese të tillë mund të krijojë një precedent për pjesën tjetër të skuadrës dhe t’i kushtojë klubit shuma shumë të mëdha në të ardhmen.
Në fund, vendimi për të ardhmen e Viniciusit do të varet nga përfaqësuesit e tij, presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, si dhe vetë futbollisti./GazetaExpress/