Një eklips i plotë diellor do të ndodhë më 12 gusht, ndërsa Spanja është një nga vendet më të mira për ta parë këtë fenomen, teksa Dielli fillon të perëndojë.
Kompania ajrore spanjolle Iberia ka organizuar një fluturim të posaçëm në lartësinë rreth 30 mijë këmbë, nga ku pasagjerët do të kenë mundësi të shohin koronën diellore pa pengesat atmosferike që mund të ndikojnë në vëzhgimin nga toka.
Fluturimi IB1473, i emërtuar sipas vitit të lindjes së astronomit Nikola Kopernik, do të niset nga Aeroporti Adolfo Suárez Madrid-Barajas dhe do të ndjekë një itinerar të veçantë mbi zonën e Palencias.
Iberia do ta transmetojë drejtpërdrejt të gjithë ngjarjen në rrjetet sociale, duke u mundësuar njerëzve në mbarë botën ta ndjekin këtë fenomen nga një këndvështrim i veçantë.
Në bord do të jenë edhe studiues nga projekti Shelios, të cilët do të përdorin kushtet e favorshme në lartësi për të studiuar koronën diellore.
“Jemi shumë të kënaqur që po bashkëpunojmë në një iniciativë që bashkon aviacionin, shkencën dhe inovacionin”, tha Diego Fernández, drejtor i strategjisë, transformimit dhe qëndrueshmërisë në Iberia.
Eklipsi i 12 gushtit do të jetë i pari eklips i plotë diellor i dukshëm nga Gadishulli Iberik që nga viti 1912.
Zona ku eklipsi do të jetë i plotë do të përfshijë pjesë të Gadishullit Iberik, ndërsa edhe Groenlanda dhe Islanda do të përjetojnë eklips të plotë.
Faza e plotësisë do të zgjasë rreth dy minuta për ata që ndodhen direkt në shtegun e eklipsit.
Qytete të mëdha evropiane si Londra, Parisi, Brukseli dhe Lisbona do ta shohin pjesërisht eklipsin. Madridi dhe Barcelona do të jenë pak jashtë zonës së plotë, por do të kenë mbulim deri në 99 për qind, shkruan Euronews.