Turistët që këtë verë udhëtojnë drejt Greqisë duhet të bëjnë kujdes jo vetëm ndaj kufizimeve për shpejtësinë maksimale, por edhe ndaj rregullave për shpejtësinë minimale të lejuar.
Në Greqi, një shofer mund të ndëshkohet edhe nëse lëviz tepër ngadalë dhe me këtë pengon rrjedhën normale të trafikut. Për një shkelje të tillë është paraparë një gjobë prej 30 eurosh.
Kujdes i veçantë duhet t’u kushtohet autostradave dhe rrugëve ekspres, ku përveç shpejtësisë më të lartë të lejuar, ekziston edhe një shpejtësi minimale e lëvizjes.
Sipas rregullave greke, automjetet në këto rrugë nuk duhet të lëvizin me një shpejtësi më të ulët se 70 kilometra në orë, përveç nëse kjo është e nevojshme për arsye sigurie.
Shoferët të cilët, për shkak të gjendjes teknike të automjetit, nuk mund të arrijnë shpejtësinë minimale, duhet të përdorin një rrugë alternative ku lëvizja e tyre më e ngadaltë nuk do të pengojë trafikun.
Shenja për shpejtësinë minimale në Greqi është një shenjë rrethore me sfond të kaltër dhe numër të bardhë, e cila tregon shpejtësinë më të ulët të lejuar.
Megjithatë, gjoba nuk zbatohet nëse ngadalësimi është shkaktuar nga kushtet reale në rrugë, siç janë gjendja e keqe e rrugës, shiu, bora, mjegulla, kushtet e papërshtatshme atmosferike apo dendësia e madhe e trafikut.
Duke marrë parasysh numrin e madh të qytetarëve që gjatë periudhës së verës udhëtojnë drejt bregdetit grek, autoritetet u rikujtojnë shoferëve t’i ndjekin me kujdes shenjat e trafikut dhe rregullat lokale për të shmangur gjobat e panevojshme.
tag_katrorimaqedoni_2