Venko Filipçe përpiqet të japë leksione për shëndetësinë dhe shëndetin publik, por qytetarët nuk harrojnë se kush e drejtoi për vite me radhë Ministrinë e Shëndetësisë dhe kush ishte në pushtet kur u paraqitën problemet, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Sipas partisë, në vend që sot të përpiqet të fitojë pikë politike, Filipçe duhet të përgjigjet se përse ka heshtur në periudhën kur kishte indikacione serioze se uji i pijshëm në Gostivar nuk i përmbushte kriteret ligjore.
“Dokumentet tregojnë se problemi me ujin e pasigurt në Gostivar nuk është i ri. Më 11 nëntor 2020, një analizë mikrobiologjike ka treguar rritje të numrit të baktereve koliforme dhe ka konstatuar se uji nuk duhej të përdorej për pije”, pretendojnë nga VMRO-DPMNE-ja.
Nga partia shtojnë se edhe më 15 shkurt dhe 1 mars 2021 ishte konstatuar se uji nuk i përmbushte kriteret e përcaktuara me rregulloret për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Sipas tyre, problemet kanë vazhduar edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023. Më 11 korrik 2022, uji i furnizuar nga NP “Komunalec” – Gostivar, sipas analizave, nuk ka qenë i përshtatshëm për përdorim për shkak të numrit të shtuar të baktereve aerobe mezofile.
Parregullsi të ngjashme, siç thuhet në komunikatë, janë konstatuar edhe më 29 qershor dhe 4 gusht 2023.
“Në asnjërin prej këtyre rasteve nuk është vepruar. Autoritetet qendrore dhe lokale, të udhëhequra nga LSDM-ja, BDI-ja dhe Taravari, kanë qenë të informuara, por nuk kanë ndërmarrë masa, ndërsa qytetarët kanë vazhduar ta përdorin ujin”, akuzojnë nga VMRO-DPMNE-ja.
Partia pyet se përse LSDM-ja dhe Venko Filipçe nuk kanë reaguar në kohë dhe përse institucionet nën drejtimin e tyre nuk kanë vepruar pas analizave që tregonin se uji ishte i pasigurt.
“Qytetarët e Gostivarit nuk meritojnë bartje politike të fajit, por përgjigje dhe përgjegjësi. Gjithnjë e më shumë bëhet e qartë se problemi i sotëm është pasojë e neglizhencës shumëvjeçare të pushtetit lokal”, thuhet në komunikatë.
Nga VMRO-DPMNE-ja kërkojnë që Filipçe, para se të flasë për shëndetin publik, të japë përgjegjësi për punën e tij si ministër i Shëndetësisë dhe për periudhën kur LSDM-ja ishte në pushtet.
“Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha dhe duhet të ketë përgjegjësi. Qytetarët mbajnë mend, ndërsa dokumentet mbeten dëshmi e përhershme”, përfundon komunikata e VMRO-DPMNE-së.
tag_katrorimaqedoni_2