Irani ishte gati të godiste tri lokacione në Ukrainë, thotë këshilltari i lartë ushtarak i Khameneit - Gazeta Express
string(99) "irani-ishte-gati-te-godiste-tri-lokacione-ne-ukraine-thote-keshilltari-i-larte-ushtarak-i-khameneit"

Gazeta Express

04/08/2026 10:01

Irani ishte gati të godiste tri lokacione në Ukrainë, thotë këshilltari i lartë ushtarak i Khameneit

Gazeta Express

04/08/2026 10:01

Irani ishte gati të kryente sulme ndaj tri lokacioneve në Ukrainë pas një sulmi të pretenduar ndaj një anijeje të tij tregtare në Detin Kaspik në fund të korrikut, ka deklaruar të hënën një këshilltar i lartë ushtarak i Udhëheqësit Suprem, Mojtaba Khamenei, raportoi televizioni shtetëror iranian, Press TV.

“Ishim të gatshëm të sulmonim tri zona në Ukrainë”, tha Mohsen Rezaei në një intervistë për televizionin shtetëror iranian. “Por pasi ata pretenduan se ishte një gabim, ne e pezulluam përgjigjen tonë për ta shqyrtuar këtë pretendim”, citohet të ketë thënë ai nga Press TV, raporton CNN.

Javën e kaluar, Teherani akuzoi Kievin se kishte goditur një anije tregtare iraniane që transportonte ngarkesë hekuri, duke vrarë një marinar dhe duke plagosur tre të tjerë. Nga ana tjetër, Kievi kishte bërë të ditur se kishte kryer sulme me dronë ndaj dy anijeve ruse që transportonin ngarkesa ushtarake në Detin Kaspik.

Zyrtarët iranianë kishin paralajmëruar për hakmarrje, por tensionet u zbutën pas një bisede telefonike mes ministrave të Jashtëm të dy vendeve. Pas kësaj bisede, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se homologu i tij ukrainas e kishte siguruar se sulmi ndaj anijes iraniane ishte i paqëllimshëm.

“Edhe nëse ishte një gabim, ai sërish kërkon kompensim”, shtoi Rezaei të hënën.

Në të njëjtën intervistë, Rezaei tha se Irani është i përqendruar vetëm në negociatat me Omanin lidhur me Ngushticën e Hormuzit dhe jo në bisedime me Shtetet e Bashkuara.

“Nëse bllokada vazhdon, forcat amerikane do të pësojnë humbje”, tha Rezaei, duke shtuar se Uashingtoni “duhet ta ndryshojë sjelljen e tij dhe t’i respektojë zotimet e marra”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement