Ekspertët: Valët e të nxehtit po e thellojnë krizën e ujit në Evropë - Gazeta Express
string(67) "ekspertet-valet-e-te-nxehtit-po-e-thellojne-krizen-e-ujit-ne-evrope"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2026 7:03

Ekspertët: Valët e të nxehtit po e thellojnë krizën e ujit në Evropë

Lajme

Gazeta Express

04/08/2026 7:03

Valët e gjata të të nxehtit dhe thatësirat po ulin në nivele rekord prurjet e lumenjve kryesorë të Evropës, duke shkaktuar pasoja serioze për transportin, furnizimin me energji, bujqësinë dhe furnizimin me ujë.

Situatë më kritike raportohet në Gjermani, Holandë, Hungari, Serbi, Rumani dhe Itali, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se temperaturat mbi 40 gradë Celsius mund ta përkeqësojnë edhe më tej gjendjen.

Lumi Rin në Gjermani dhe Holandë ka arritur nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë në disa pika matëse, duke vështirësuar lundrimin e anijeve tregtare dhe duke rritur kostot e transportit.

Autoritetet paralajmërojnë se ngarkesat duhet të shpërndahen në më shumë anije për të shmangur bllokimin e qarkullimit.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në lumin Danub, ku niveli i ujit ka rënë në minimumin e tre dekadave në disa vende.

Në Hungari është detyruar të ndërpresë punën i vetmi central bërthamor për shkak të mungesës së ujit për ftohje, ndërsa Serbia dhe Rumania po përballen me vështirësi në prodhimin e energjisë elektrike.

Në Itali, lumi Po ka arritur nivele historikisht të ulëta, duke rrezikuar furnizimin me ujë të pijshëm dhe duke dëmtuar bujqësinë, pasi depërtimi i ujit të kripur nga deti po ndikon në tokat bujqësore.

Sipas vëzhguesve evropianë të thatësirës, gjendja mbetet kritike në pjesën më të madhe të kontinentit dhe pritet të përkeqësohet nga një valë e re e të nxehtit.

Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat dhe avullimin e ujit, duke e bërë thatësirën më të shpeshtë dhe më intensive, me pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë, burimet ujore dhe rrezikun e zjarreve në Evropë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement