Policia e Kosovës ka konfirmuar një ngjarje tragjike që ndodhi mëngjesin e së hënës në Pejë, ku një grua humbi jetën pasi u godit nga treni.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se rasti është raportuar rreth orës 05:35, ndërsa vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjeku kujdestar.
“Rreth orës 05:35 është raportuar se një person është goditur nga treni. Njësitet policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Rasti është duke u hetuar,” ka deklaruar Gashi.
Ndërkohë, Sinjali raporton se viktima është një grua rreth 50-vjeçare, me inicialet F.M.
Sipas raportimeve, aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:32, në momentin kur treni ishte nisur nga Peja në drejtim të Fushë Kosovës. Për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, gruaja është goditur nga treni dhe ka humbur jetën në vendngjarje si pasojë e lëndimeve të marra.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa njësitet hetimore kanë nisur veprimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.