LDK në Ferizaj kundër vendimit për rritjen e tarifës mujore të mbeturinave për amvisëritë nga 6.50 në 9.90 euro - Gazeta Express
string(111) "ldk-ne-ferizaj-kunder-vendimit-per-rritjen-e-tarifes-mujore-te-mbeturinave-per-amviserite-nga-6-50-ne-9-90-euro"

Lajme

Gazeta Express

02/08/2026 14:19

LDK në Ferizaj kundër vendimit për rritjen e tarifës mujore të mbeturinave për amvisëritë nga 6.50 në 9.90 euro

Lajme

Gazeta Express

02/08/2026 14:19

Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Ferizaj kundërshton vendimin e shumicës qeverisëse në Kuvendin Komunal për rritjen e tarifës mujore të mbeturinave për amvisëritë nga 6.50 në 9.90 euro.

Në reagim thuhet:

Me këtë vendim, çdo familje në Ferizaj do të paguajë 3.40 euro më shumë çdo muaj. Kjo paraqet një rritje prej mbi 52 për qind, në një kohë kur familjet tashmë po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.

LDK nuk është kundër forcimit të ndërmarrjeve publike dhe as kundër investimeve që përmirësojnë pastërtinë e qytetit. Por jemi kategorikisht kundër që qytetarët të detyrohen ta paguajnë faturën e keqmenaxhimit, politizimit dhe dështimeve shumëvjeçare të udhëheqjes së KRM “Pastërtia”.

Raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit i ka dhënë kompanisë opinion të kundërt, duke konstatuar se pasqyrat e saj financiare nuk paraqesin në mënyrë të drejtë dhe të vërtetë gjendjen financiare të ndërmarrjes.

Auditori ka dokumentuar:

* mbi 4.3 milionë euro borxhe ndaj kompanisë;

* mbi 360 mijë euro obligime të papaguara për kontributet pensionale dhe tatimin në paga;

* emërime të drejtuesve pa procedura të hapura dhe konkurruese;

* përzgjedhje të kandidatëve që nuk i plotësonin kriteret e konkursit;

* plotësim të pozitave pa respektuar procedurat ligjore;

* mangësi serioze në prokurim, inventarizim, menaxhim të pasurisë dhe kontroll të brendshëm;

* kontrata të palidhura dhe evidenca të parregullta të konsumatorëve.

Për vite me radhë, punëtorët e kësaj kompanie janë përballur me paga të vonuara, kontribute pensionale të papaguara, mungesë të pajisjeve mbrojtëse dhe automjete të amortizuara. Qytetarët, ndërkaq, janë përballur me ndërprerje të shërbimeve dhe grumbullim të mbeturinave në rrugët dhe lagjet e tyre.

Në vend se të kërkojë përgjegjësi nga bordi dhe menaxhmenti, pushteti komunal ka zgjedhur rrugën më të lehtë: t’ua dërgojë faturën qytetarëve.

Veçanërisht shqetësuese është se rregullorja me ndikim të drejtpërdrejtë financiar mbi mijëra familje është miratuar pa një proces të qartë dhe të dokumentuar të konsultimit publik. Për më tepër, qytetarëve dhe Kuvendit Komunal nuk iu paraqit një plan i detajuar ristrukturimi, një analizë e kostos, objektiva të matshme për përmirësimin e shërbimit apo afate për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit.

LDK – Dega në Ferizaj kërkon:

1. Verifikimin nga MAPL nëse është zhvilluar konsultimi publik në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ndërmarrjen e masave ligjore për kthimin e kësaj rregulloreje në procedurë të rregullt;

2. Publikimin e plotë të analizës financiare mbi të cilën është propozuar çmimi prej 9.90 eurosh;

3. Hartimin e një plani të matshëm për ristrukturimin financiar dhe operacional të “Pastërtisë”;

4. Zbatimin e plotë të 19 rekomandimeve të Auditorit;

5. Hapjen e të gjitha pozitave drejtuese përmes procedurave transparente dhe konkurruese;

6. Shlyerjen e kontributeve pensionale dhe obligimeve ndaj punëtorëve;

7. Raportim tremujor para Kuvendit Komunal për financat, punësimet, prokurimin dhe cilësinë e shërbimeve.

Qytetarët mund të paguajnë më shumë vetëm kur marrin shërbim më të mirë dhe kur çdo euro menaxhohet me transparencë. Ata nuk duhet të ndëshkohen financiarisht për dështimet e atyre që e kanë politizuar dhe keqmenaxhuar ndërmarrjen.

Fillimisht përgjegjësi dhe reformë – pastaj diskutim për tarifa.

Advertisement
Advertisement
Advertisement