Kurti e emëron Agron Limanin në krye të Komisionit për Persona të Zhdukur: Kishim organizuar bashkë aksione para UNMIK’ut - Gazeta Express
string(119) "kurti-e-emeron-agron-limanin-ne-krye-te-komisionit-per-persona-te-zhdukur-kishim-organizuar-bashke-aksione-para-unmikut"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2026 17:23

Kurti e emëron Agron Limanin në krye të Komisionit për Persona të Zhdukur: Kishim organizuar bashkë aksione para UNMIK’ut

Lajme

Gazeta Express

31/07/2026 17:23

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka emëruar sot Agron Limanin kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, pozitë në të cilën paraprakisht ka qenë ministri Andin Hoti.

Kurti tha se me Limanin njihen “prej më shumë se dy dekadash”.

“Bashkë kemi organizuar aksione në kërkim të drejtësisë, sikur ai i vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut kur publikuam listën me emrat e 56 kriminelëve të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël, aksion për të cilin ai ishte arrestuar”.

Më pas Kurti shpalosi pak nga biografia e Limanit.

“Ai është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë” për masakrën e Krushës së Vogël, libër i cili u ka shërbyer institucioneve të drejtësisë si dëshmi në rastin ku është dënuar Darko Tasiç. Gjatë luftës, Agroni ka qenë ushtar i UÇK-së, e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij, të tre, mbesin ende të zhdukur. Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në këtë fshat. Misioni i tij në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë kishte nisur me drejtimin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”. Me profesion është inxhinier i elektroteknikës, ndërsa ka qenë edhe drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit”.

Kurti tha se përkundër pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia, “ne jemi të përkushtuar dhe të palëkundur në përpjekjet tona në kërkim të së vërtetës, me qëllim zbardhjen e fatit të secilit prej më të dashurve tanë të zhdukur më dhunë gjatë luftës së fundit, si dhe vënien e drejtësisë në vend”.

Ai më pas tha se “gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë kryekëput rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, e përsërisim thirrjen për trysni ndërkombëtare që Serbia të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, në veçanti për hapjen e arkivave të forcave të saj, përfshirë këtu ndryshimin e vendimit për klasifikim 30 vjeçar, deri më 2044, përkatësisht hapjen e arkivës së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement