Ushtria e Kuvajtit ka bërë të ditur se ka rrëzuar dronë iranianë që po tentonin të godisnin objekte ushtarake të premten në mëngjes, sipas kohës lokale.
“Agresioni i rëndë iranian synoi disa objekte jetike dhe ushtarake. Objektivat armiqësore u neutralizuan dhe u shkatërruan, duke shkaktuar vetëm dëme materiale nga rënia e copëzave të raketave, pa viktima njerëzore”, tha një zëdhënës i ushtrisë në platformën X.
Ndërkohë, forcat iraniane thanë se kishin sulmuar bazën ajrore Ahmad al-Jaber në Kuvajt dhe publikuan pamje që pretendojnë se tregojnë lëshimin e predhave drejt territorit kuvajtian, sipas medias shtetërore iraniane Press TV.
Ushtria iraniane deklaroi se sulmi ishte një kundërpërgjigje ndaj goditjeve amerikane në ishullin Qeshm. Sipas mediave shtetërore iraniane, një çift dhe fëmija i tyre u vranë në shtëpinë e tyre gjatë këtyre sulmeve.
Irani më herët ka shënjestruar infrastrukturën amerikane në bazat ushtarake në vendet fqinje, si hakmarrje ndaj sulmeve amerikane në territorin iranian, shkruan CNN.