Një pilot i kompanisë Malaysia Airlines rezultoi pozitiv për kokainë dhe metamfetaminë pasi kishte fluturuar një avion pasagjerësh drejt Xhakartës, ndërsa autoritetet indoneziane gjetën në valixhen e tij më shumë se 70 mijë pilula ekstazi.
Një pilot malajzian mund të përballet me dënim me vdekje në Indonezi pasi u arrestua në aeroportin ndërkombëtar Soekarno-Hatta në Xhakartë me mbi 70 mijë pilula ekstazi në bagazhin e tij, njoftoi policia indoneziane të premten.
Piloti 39-vjeçar, i identifikuar vetëm me inicialet MS, u arrestua pak pasi kishte ulur një avion pasagjerësh nga Kuala Lumpuri në Xhakartë, të mërkurën në mbrëmje. Edhe pse zyrtarët e aeroportit nuk e bënë publik emrin e kompanisë, numri i fluturimit tregon se bëhej fjalë për një fluturim të Malaysia Airlines.
Zyrtarët e doganave thanë se në valixhen e pilotit u gjetën 14 qese me tableta ekstazi, ndërsa në bagazhin e dorës u gjetën edhe 4 gramë metamfetaminë.
Sipas autoriteteve, piloti i kishte transportuar këto substanca ilegale me kërkesën e një personi të paidentifikuar, me premtimin për një shpërblim prej 50 mijë ringit (rreth 12 mijë dollarë ose 10 mijë e 600 euro).
Ata thanë gjithashtu se piloti kishte qenë nën ndikimin e drogës gjatë fluturimit. “Rezultatet e testit të urinës dolën pozitive për metamfetaminë, MDMA dhe kokainë”, tha një zyrtar.
“Ajo që na shqetëson të gjithëve është se ky person është pilot. Në momentin që mbërriti, ai sapo kishte drejtuar atë avion nga Kuala Lumpuri drejt Indonezisë”, shtoi ai.
Malaysia Airlines ka refuzuar të komentojë rastin derisa hetimet të përfundojnë, por tha se kompania nuk toleron asnjë formë të keqpërdorimit dhe se po kryen një rishikim të brendshëm.
“Malaysia Airlines do të ofrojë bashkëpunim të plotë për autoritetet përkatëse, në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në deklaratën e kompanisë, shkruan DW.