Pas 8 vitesh në mërgim, ish-mbreti Juan Carlos rikthehet për pushimet verore me familjen mbretërore në Spanjë - Gazeta Express
string(108) "pas-8-vitesh-ne-mergim-ish-mbreti-juan-carlos-rikthehet-per-pushimet-verore-me-familjen-mbreterore-ne-spanje"

Lajme

Gazeta Express

29/07/2026 21:45

Pas 8 vitesh në mërgim, ish-mbreti Juan Carlos rikthehet për pushimet verore me familjen mbretërore në Spanjë

Lajme

Gazeta Express

29/07/2026 21:45

Tetë vjet pas largimit të tij vullnetar nga Spanja, ish-mbreti Juan Carlos është rikthyer për herë të parë për të kaluar pushimet verore me familjen në atdhe.

Monarku mbërriti të martën në ishullin e Majorkës, në rezidencën verore të familjes mbretërore, Pallatin Marivent, ku u ribashkua me mbretëreshën Sofia. Dyshja nuk ishte takuar në këtë rezidencë prej tetë vitesh.

Marivent është rezidenca ku, që në vitin 1973, përpara përfundimit të regjimit të Frankos, Juan Carlos dhe Sofia nisën traditën e pushimeve verore të familjes Bourbon.

Pushimet e verës 2026 konsiderohen tashmë një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet mes ish-mbretit dhe djalit të tij, mbretit Felipe VI, por edhe për raportin mes Spanjës dhe sovranit emeritus. Juan Carlos vlerësohet si figura që ndihmoi në rikthimin e demokracisë pas diktaturës së Francisco Frankos, megjithatë vitet e fundit të mbretërimit të tij u shoqëruan nga skandale financiare dhe personale, të cilat dëmtuan ndjeshëm imazhin e tij.

I ardhur nga Gjeneva me një avion privat në Palma de Mallorca, Juan Carlos drekoi në rezidencën e familjes, ku u takua me vajzat e tij, Infanta Elena dhe Infanta Cristina.

Megjithatë, ai nuk u takua me mbretin Felipe VI. Ky i fundit, së bashku me mbretëreshën Letizia, ishte kthyer në Madrid në fillim të javës për të vizituar zonat e prekura nga zjarret që po përfshijnë një pjesë të Spanjës, ndërsa më pas u nis për një vizitë zyrtare në Peru.

Sipas mediave spanjolle, angazhimet ndërkombëtare të mbretit ndihmojnë gjithashtu në ruajtjen e një distance publike nga babai i tij, për të mos cenuar stabilitetin e institucionit të monarkisë.

Ndërkohë, në Palma de Mallorca po zhvillohen përgatitjet për garën prestigjioze të lundrimit Copa del Rey Mapfre, një pasion i kahershëm si për Juan Carlos, ashtu edhe për mbretin Felipe VI.

Megjithatë, ish-mbreti nuk pritet të kalojë natën në Pallatin Marivent, në respekt të angazhimit që mori në vitin 2020 për të mos fjetur në rezidencat që janë pjesë e pasurisë mbretërore të administruar nga Patrimonio Nacional.

Dalja e fundit publike e Juan Carlos në Spanjë ishte disa muaj më parë, gjatë Pashkëve, kur vizitoi Seviljen për të kaluar ditën me nipërit dhe vajzën e tij, Infanta Elena. Gjatë asaj vizite, qytetarë të shumtë e përshëndetën me thirrjet: “Rroftë Don Juan Carlos!”

Kthimi i tij në Majorkë shihet si një tjetër hap drejt afrimit me Spanjën. Juan Carlos jeton në mërgim vullnetar që prej gushtit të vitit 2020, pas skandaleve që tronditën monarkinë.

Në fillim të këtij viti, deklasifikimi i dokumenteve mbi grushtin e dështuar të shtetit të 23 shkurtit 1981 konfirmoi edhe një herë rolin e tij në mbrojtjen e demokracisë. Dokumentet treguan se Juan Carlos ishte vendimtar në pengimin e puçit të drejtuar nga koloneli Antonio Tejero, duke iu drejtuar kombit në televizion dhe duke shmangur rrëzimin e rendit demokratik.

Ndërkohë, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe tensionet që kanë prekur edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku Juan Carlos jeton prej vitesh, kanë lehtësuar rikthimin e tij më të shpeshtë në Evropë. Gjendja shëndetësore e ish-mbretit është përkeqësuar muajt e fundit, ndërsa situata e sigurisë në rajonin e Gjirit, ku ai banon aktualisht në Abu Dhabi, në një ishull të vogël të Emirateve, është bërë më e ndërlikuar për shkak të pasojave të luftës me Iranin.

Sipas raportimeve, Pallati Mbretëror Zarzuela ka vendosur një kusht për rikthimin e plotë të Juan Carlos në Spanjë, rikthimin e rezidencës së tij fiskale në vend. Ky kusht synon, sipas burimeve, të mbrojë imazhin e tij nga kritikat dhe spekulimet, si edhe të ruajë prestigjin e monarkisë si institucion.

Megjithatë, ajo që konsiderohet më e rëndësishme është se tashmë nuk ekziston më asnjë veto për rikthimin e ish-mbretit në Spanjë. Siç ka bërë të ditur familja mbretërore, vendimi përfundimtar i takon vetë Juan Carlos.

Advertisement
Advertisement
Advertisement