Pse s’po ndryshon Serbia? - Gazeta Express
string(23) "pse-spo-ndryshon-serbia"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

26/07/2026 16:11

Pse s’po ndryshon Serbia?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

26/07/2026 16:11

Është viti 2026. Shteti serb dhe shoqëria serbe ende nuk pranojnë të ballafaqohen me të kaluarën, edhe pse ballë e faqe e sy e veshë i kanë të kthyer drejt saj. I kthehen e rikthehen të kaluarës gjithë kohën, mirëpo jo për të kërkuar falje ndaj viktimave apo mësuar gabimet e tmerrshme që i bënë. I kthehen e rikthehen për ta rishkruar, shkarravitur me qëllim relativizimin e krimeve të bëra gjatë viteve ’90. 

Shkruan: Shpat Blakçori – gazetar

Ratko Mlladiq si dhe kriminelet e tjerë të luftës vazhdojnë të glorifikohen nga elita politike dhe një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë serbe. Vetëm disa ditë më parë, ministrja serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, ‘shpërtheu’ me një deklaratë fashiste. Ajo tha mes tjerash se po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Gjatë luftës u dëbuan me dhunë mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës nga regjimi komunist i Sllobodan Millosheviqit. Ndërhyrja e NATO-s ia doli të frenonte spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. Por, ai nuk ishte frenuar më herët nga idetë e një ministri tjetër serb, Vaso Çubrilloviqit, të shprehura në dy memorandume të ndryshme. Ministri i Titos kërkonte dëbimin e shqiptarëve në Turqi. Dhe regjimi komunist i Titos e kishte realizuar atë plan në masë të konsiderueshme, me mijëra e mijëra familje shqiptare që u dëbuan. 

Është viti 2026. Serbia bëhet sikur po ecë rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Është vend që ka përqafuar të mirat tregtare, teknologjike e financiare që i erdhën nga globalizmi gjithnjë e në rritje. Por, politika e saj në thelb po ajo që ishte më 1998, 1978 e 1948. Sikurse ministrja Paunoviq vazhdojnë me mendu edhe përfaqësues tjerë të lartë serbë që i mohojnë pa problem krimet e kryera në Kosovë dhe vendet tjera të ish-Jugosllavisë. 

Së fundi, në qendër të Beogradit u sulmua nga disa persona shkrimtari dhe aktivisti i njohur serb, Vladimir Arsenijeviq, vetëm pse mori pjesë në një aktivitet përkujtimor kushtuar viktimave të Srebrenicës.  Në vendin ku ishte planifikuar të zhvillohej ngjarja përkujtimore ishin shkruar grafite si “Ratko Mlladiq është hero” dhe “3,627 viktima serbe”. Organizatorët u detyruan ta anulojnë ngjarjen përkujtimore për shkaqe sigurie. Sulmi ndaj Arsenijeviqit përbën një mesazh frikësues ndaj atyre pak serbëve që shprehin solidaritet me viktimat jo-serbe të luftës. Një mesazh që iu kërkon të mos ndalet shkarravitja e të kaluarës, në mënyrë që ballafaqimi me të të mos ndodhë kurrë. Kjo është klima shoqërore e politike që mbizotëron nën qeverisjen aktuale të udhëhequr nga Partia Progresive Serbe. Por, është ndoshta një klimë që e tejkalon regjimin aktual në Serbi. Është për keqardhje se si edhe brezat e rinj në Serbi që i dolën kundër regjimit të Vuçiqit e shpërfaqën po të njëjtin nacionalizëm primitiv. Në protestat masive që u organizuan nga studentët kundër Vuçiqit u shfaqën mesazhe si “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë”. 

Ministrja Snezhana Paunoviq nuk doli prej hiçi. Ajo mund të thoshte ato fjalë për spastrim etnik jo vetëm sepse i takon partisë së Ivica Daçiqit apo vetëm që i përket regjimit të Aleksandër Vuçiqit. Ajo mund të thoshte diçka të tillë sepse shumica e shoqërisë serbe mendon njësoj ose ngjashëm me të. Nuk mund ta thoshte asnjëherë nëse do ta dinte se për ato fjalë do ta pësonte rëndë. 

Por, ajo nuk e pësoi. Madje, mund të thuhet se deri tash thjesht përfitoi nga vëmendja e shtuar mediatike që mund t’i përkthehet edhe në popullaritet të shtuar në zgjedhjet që po vijnë. Mirëpo, ajo që duhet të na shqetësojë seriozisht është ekspozimi i paqes së paqendrueshme në rajonin tonë. Për aq kohë sa një shoqëri e tërë i kthehet të kaluarës gjithë kohën dhe përdhos dhimbjet që ka shkaktuar, atëherë pajtimi s’është veç i brishtë por farsë e plotë. Pajtimi i deritashëm ishte i shtrënguar prej një farë përparimi ekonomik. Por, nuk mund të presësh gjatë prej viktimave që ta durojnë agresorin derisa ua fyen dinjitetin e tyre. Është viti 2026.

Advertisement
Advertisement
Advertisement