Një terapi e avancuar për kancerin e prostatës, të cilën e kanë përdorur edhe prezantuesi Jeremy Clarkson dhe ish-kryeministri britanik David Cameron, mund të jetë po aq efektive sa ndërhyrja kirurgjikale, por me një rrezik pesë herë më të ulët për efekte anësore.
Studimi i ri tregon se terapia fokale, e cila synon tumorin me saktësi të lartë, mund ta kufizojë dëmtimin e indeve të shëndetshme dhe të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e mosmbajtjes së urinës, problemeve me funksionin seksual dhe komplikimeve në rektum.
Megjithatë, për shkak të mungesës së mëparshme të të dhënave afatgjata, trajtimi aktualisht ofrohet vetëm në një numër të kufizuar qendrash të specializuara të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor britanik, NHS.
Shumica e këtyre qendrave ndodhen në Londër dhe në juglindje të Anglisë, ndërsa terapia nuk ofrohet në asnjë qendër në Skoci, Uells apo Irlandën e Veriut.
Për pasojë, pacientët që nuk kanë sigurim privat shëndetësor mund të detyrohen të paguajnë rreth 15 mijë paund për çdo cikël trajtimi ose të zgjedhin procedura tradicionale, të cilat bartin rrezik më të madh për efekte anësore afatgjata.
Kërkohet miratimi i terapisë në të gjithë Britaninë
Organizata “Prostate Cancer UK” i ka bërë thirrje institutit britanik NICE, që vlerëson trajtimet mjekësore, t’i shqyrtojë me urgjencë rezultatet e reja dhe ta miratojë terapinë fokale për përdorim më të gjerë në NHS.
Studimi, i realizuar nga “Imperial College London”, përfshiu 3,477 burra që ishin trajtuar me terapi fokale.
Një pjesë e pacientëve iu nënshtruan ultrazërit të fokusuar me intensitet të lartë, të njohur si HIFU, i cili përdor nxehtësinë për ta shkatërruar tumorin. Të tjerët u trajtuan me krioterapi, e cila përdor temperatura shumë të ulëta për ngrirjen dhe shkatërrimin e qelizave kancerogjene.
Të dyja metodat synojnë vetëm zonën e prekur nga tumori, duke e kufizuar dëmtimin e pjesës së shëndetshme të prostatës, si dhe të nervave dhe muskujve përreth që kontrollojnë urinimin dhe funksionin seksual.
Rezultate premtuese pas dhjetë vjetësh
Dhjetë vjet pas trajtimit, vetëm dy pacientë, ose 0.13 për qind e pjesëmarrësve të analizuar, kishin vdekur nga kanceri i prostatës.
Te 3.3 për qind e tyre sëmundja ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Sipas studiuesve, këto të dhëna tregojnë se burrat e trajtuar me terapi fokale nuk kishin rrezik më të lartë për vdekje apo për përhapjen e kancerit sesa pacientët që iu nënshtroheshin kirurgjisë ose radioterapisë.
Megjithatë, terapia fokale u shoqërua me një rrezik pesë herë më të ulët për efekte anësore, si mosmbajtja e urinës, mosfunksionimi erektil dhe problemet me rektumin.
David Cameron: Jo të gjithë e kanë mundësinë që pata unë
Ish-kryeministri britanik David Cameron tha se kishte pasur fatin të përfitonte nga një formë më e avancuar e terapisë fokale.
“Isha me fat që pata mundësinë të trajtohesha me një terapi fokale më të avancuar, e cila e zvogëloi rrezikun e efekteve anësore që mund ta ndryshojnë jetën”, deklaroi ai.
“Aktualisht, shumë burra nuk e kanë këtë mundësi dhe kjo nuk është e drejtë.”
Cameron kërkoi që trajtimet moderne të jenë të qasshme për të gjithë pacientët, pavarësisht vendbanimit apo mundësive financiare.
“Duhet të bëjmë gjithçka që burrat në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar të përfitojnë nga përparimet më të fundit. Shpresoj që këto prova të reja ta përshpejtojnë zgjerimin e qasjes në trajtim”, shtoi ai.
Kanceri më i zakonshëm te burrat
Kanceri i prostatës është forma më e zakonshme e kancerit te burrat. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen më shumë se 60 mijë raste në vit.
Në shumë raste, sëmundja është e kufizuar vetëm në prostatë. Pacientëve zakonisht u ofrohet kirurgjia robotike për heqjen e organit ose radioterapia që aplikohet në të gjithë prostatën.
Të dyja trajtimet mund të jenë efektive, por shpesh shkaktojnë pasoja afatgjata, përfshirë mosmbajtjen e urinës dhe problemet me ereksionin.
Rreziku i këtyre efekteve anësore është një nga arsyet pse Komiteti Kombëtar Britanik i Kontrollit Shëndetësor ka këshilluar kundër një programi kontrolli për të gjithë burrat.
Sipas vlerësimeve, rreth gjysma deri në dy të tretat e kancereve të lokalizuara të prostatës mund të trajtohen me terapi fokale. Kjo do të përfaqësonte rreth 15 mijë pacientë në vit në Britani.
Aktualisht, vetëm rreth një mijë burra në vit e marrin këtë trajtim.
“Lajm fantastik për pacientët”
Amy Rylance, drejtoreshë për shërbimet shëndetësore dhe barazinë në “Prostate Cancer UK”, i cilësoi rezultatet si një zhvillim shumë të rëndësishëm.
“Efektet anësore si mosmbajtja e urinës ose problemet seksuale mund të jenë shkatërruese. Ky është studimi i parë afatgjatë që tregon se shumë burra mund t’i shmangin ato pa e rritur rrezikun e rikthimit të kancerit”, deklaroi ajo.
Sipas saj, zvogëlimi i efekteve anësore mund ta bëjë gjithashtu më të mundshëm krijimin e një programi kombëtar për kontrollin e kancerit të prostatës.
“Pa miratimin e NICE-s, mijëra burra do të vazhdojnë të përballen me pasoja që ua ndryshojnë jetën vetëm për shkak të vendit ku jetojnë. Kjo është plotësisht e papranueshme”, shtoi Rylance.
Studiuesit: Terapia është e synuar dhe efektive
Profesori Hashim Ahmed, drejtues i urologjisë në “Imperial College Healthcare NHS Trust”, tha se rezultatet mbështesin atë që specialistët kishin dyshuar prej kohësh.
“Të dhënat më në fund konfirmojnë se terapitë fokale, si HIFU dhe krioterapia, mund të krahasohen me trajtimet e të gjithë prostatës në kontrollin e kancerit, por shkaktojnë vetëm një pjesë të efekteve anësore”, deklaroi ai.
Sipas profesorit, studimi u jep pacientëve më shumë siguri se po zgjedhin një trajtim njëkohësisht të saktë dhe efektiv.
Studiuesit shpresojnë që rezultatet të ndikojnë në miratimin e terapisë nga NICE dhe në zgjerimin e saj në më shumë qendra shëndetësore. /GazetaExpress/