Mijëra burra me kancer të avancuar të prostatës mund të kenë më shumë shpresë për jetë më të gjatë, falë një trajtimi që ul me gati një të tretën rrezikun e rikthimit të sëmundjes.
Për shumë pacientë, heqja e prostatës është një ndërhyrje e rëndësishme, por në rreth gjysmën e rasteve kanceri mund të rikthehet. Trajtimi standard zakonisht përfshin barna që ulin prodhimin e testosteronit, hormonit mashkullor që shumë tumore të prostatës e përdorin për t’u rritur.
Tani, studiuesit amerikanë kanë publikuar të dhëna që tregojnë se pacientët që marrin apalutamide krahas terapisë standarde jetojnë më gjatë pa përkeqësim të sëmundjes.
Apalutamide, i njohur edhe me emrin tregtar Erleada, është pjesë e një gjenerate të re barnash që veprojnë duke bllokuar testosteronin që ushqen qelizat tumorale.
Rezultatet nga studimi i fazës së tretë, i quajtur PROTEUS, tregojnë se shtimi i apalutamide në trajtimin standard mund të vonojë ndjeshëm përparimin e sëmundjes te burrat me kancer të prostatës me rrezik të lartë.
Studimi përfshiu më shumë se 2,100 burra nga 18 vende, me moshë mesatare 66 vjeç. Të gjithë morën terapi hormonale për gjashtë muaj para dhe pas operacionit për heqjen e prostatës. Gjysma e tyre morën edhe apalutamide, ndërsa pjesa tjetër mori placebo.
Pas pesë vitesh, burrat që morën apalutamide kishin 29 për qind më pak rrezik që kanceri të rikthehej. Ata gjithashtu qëndruan më gjatë pa përparim të sëmundjes, mesatarisht afro pesë vjet, krahasuar me rreth tre vjet te grupi që mori placebo.
Trajtimi uli edhe rrezikun e përhapjes së kancerit me rreth 20 për qind, ndërsa efektet anësore shtesë ishin të kufizuara. Infeksionet urinare ishin të zakonshme në të dy grupet, ndërsa skuqjet e lëkurës ishin arsyeja më e shpeshtë për ndërprerjen e apalutamide.
Ekspertët e prezantuan studimin në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane për Onkologjinë Klinike dhe e cilësuan ilaçin si një zhvillim të rëndësishëm për pacientët kirurgjikalë me rrezik të lartë rikthimi.
Megjithatë, specialistët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar se cilët pacientë përfitojnë më shumë nga ky trajtim shtesë dhe për të shmangur trajtimin e panevojshëm te disa prej tyre.
Kanceri i prostatës është kanceri më i zakonshëm te burrat. Në Mbretërinë e Bashkuar, ai prek një në tetë burra, me rreth 63 mijë raste të reja dhe 12 mijë vdekje çdo vit.
Rezultatet vijnë në një kohë kur vijojnë debatet për nevojën e programeve më të gjera të depistimit, sidomos për burrat me rrezik të lartë, përfshirë ata me histori familjare të sëmundjes ose me mutacione të caktuara gjenetike. /GazetaExpress/