Në Shqipëri, një punonjës merr mesatarisht 10.3 mijë euro në vit pagë bruto, ose rreth 860 euro në muaj, sipas të dhënave që janë publikuar nga INSTAT për vitin 2025 (mesatarja mujore bruto në lekë është 84.1 mijë lekë).
Në këto nivele, Shqipëria renditet e fundit në rajon (me përjashtim të Kosovës të dhënat e fundit të së cilës janë të vitit 2024, me më pak se 10 mijë euro në vit). Rajonin, për pagat bruto e kryesojnë Serbia (15.5 mijë euro), Bosnjë Hercegovina (gati 15 mijë euro), Mali i Zi (14.5 mijë euro), Maqedonia e Veriut (13.2 mijë euro), sipas të dhënave të instituteve statistikore përkatëse.
Nëse bëhet krahasimi me pagat vjetore bruto në Europë, që janë publikuar nga Euronews, duke iu referuar të dhënave të OECD, rezulton se pagat e vendeve të Ballkanit në tërësi dhe të Shqipërisë në veçanti janë shumë më të ulëta.
Me një mesatare të thjeshtë, paga vjetore bruto në vendet e Bashkimit Europian është rreth 50 mijë euro (5.5 mijë euro në muaj), ose 5 herë më e lartë sesa e Shqipërisë.
Gjermania, destinacioni i preferuar i shqiptarëve vitet e fundit ka një pagë prej 66.7 mijë euro në vit, ose mbi 6 herë më shumë se në Shqipëri.
Në Itali, paga mesatare vjetore bruto është mbi tre herë në krahasim me atë të një punonjësi shqiptare, duke arritur në 36.6 mijë euro (rreth 3 mijë euro në muaj).
Në Greqi, pagë mesatare vjetore bruto është 26.5 mijë euro, ose 2.2 mijë euro në muaj.
Diferenca e lartë e pagave është një nga arsyet që po shtyn shumë shqiptarë të ikin në emigracion. Të dhëna të tjera të Eurostat bënë të ditur se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.
Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë. Kjo shifër, që përfshin vetëm ikjet zyrtare, pa llogaritur ata të paregjistruar, që punojnë në të zezë, apo ata që ikin për punësim sezonal, është sa 13% e të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas të dhënave të tjera të INSTAT.
Pagat në Europë
Sipas raportit Taxing Wages 2026 të OECD-së, paga mesatare bruto vjetore varion nga 18,590 euro në Turqi deri në 107,487 euro në Zvicër. Të dhënat përfshijnë 27 vende Europiane, nga të cilat 22 janë anëtare të Bashkimit Europian.
Zvicra është i vetmi vend ku paga mesatare bruto tejkalon 100 mijë euro në vit.
Islanda renditet e dyta me 85,950 euro, ndërsa Luksemburgu kryeson mes vendeve të BE-së me 77,844 euro, duke u renditur i treti në Europë.
Pesëshen e parë e plotësojnë Danimarka me 71,961 euro dhe Holanda me 69,028 euro. Norvegjia, me 68,420 euro, ndodhet shumë pranë tyre.
Mes pesë ekonomive më të mëdha të Europës, Gjermania kryeson me 66,700 euro, e ndjekur nga afër nga Mbretëria e Bashkuar me 65,340 euro. Tre ekonomitë e tjera të mëdha renditen dukshëm më poshtë.
Franca ka një pagë mesatare bruto vjetore prej 45,964 eurosh, Italia 36,594 euro dhe Spanja 32,678 euro. Paga mesatare në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar është më shumë se dy herë më e lartë se në Spanjë.
Austria (63,054 euro), Belgjika (62,348 euro), Irlanda (60,258 euro), Finlanda (55,462 euro) dhe Suedia (50,338 euro) pozicionohen mes këtyre dy grupeve, të gjitha me paga mesatare mbi 50 mijë euro në vit.
Nëntë vende të BE-së kanë paga mesatare nën 30 mijë euro
Sllovakia regjistron pagën mesatare më të ulët vjetore në Bashkimin Europian, me 19,590 euro. Nga 22 vendet e BE-së të përfshira në listë, nëntë kanë paga mesatare nën pragun e 30 mijë eurove.
Hungaria (21,257 euro), Letonia (21,321 euro), Çekia (23,685 euro), Portugalia (24,254 euro) dhe Polonia (24,940 euro) kanë paga mesatare nën 25 mijë euro në vit. Estonia (25,603 euro), Greqia (26,563 euro) dhe Lituania (28,474 euro) ndodhen mbi këtë nivel, por mbeten gjithsesi nën pragun e 30 mijë eurove./Monitor
