Tre ministrat në detyrë, Xhelal Sveçla, Artane Rizvanolli dhe Dimal Basha kanë qëndruar sot në veri të vendit ku kanë marrë pjesë në heqjen e një tabele të shkruar në cirilikë në ambientet e një objekti të hekurudhës që ndodhet në Zveçan.
Aty është vendosur edhe flamuri i Kosovës dhe tabela në gjuhën shqipe.

Sveçla në një deklaratë për media i pyetur nëse po e bëjnë për fushatë politike ka thënë se rendi dhe ligji duhet të jenë të pranishëm kudo.
“Kjo është pjesë e detyrës sonë për të siguruar që ligji dhe rendi të jenë të pranishëm kudo, në çdo pjesë të Republikës së Kosovës. Ky është një nga institucionet e fundit që ende vepronte nën strukturat paralele ilegale të Serbisë, dhe ne do të vazhdojmë të veprojmë nëse gjejmë ndonjë institucion të paligjshëm, paralel, të paligjshëm në territorin e Kosovës”, ka thënë Sveçla.