“Mallkimi” që po çon Knicks drejt titullit - Gazeta Express
string(40) "mallkimi-qe-po-con-knicks-drejt-titullit"

Fun

Gazeta Express

27/05/2026 20:58

“Mallkimi” që po çon Knicks drejt titullit

Fun

Gazeta Express

27/05/2026 20:58

Skuadra e New York Knicks po kalon një nga seritë më të jashtëzakonshme në historinë e playoff-it të NBA-së, dhe tifozët janë bindur se pas suksesit fshihet një “mallkim” i çuditshëm… ose më saktë, heqja e tij.

Gjithçka nisi pasi ylli i WWE-së, Danhausen, publikoi një video ku “çmallkonte” Knicks-at. Që nga ai moment, skuadra ka regjistruar 11 fitore radhazi, përfshirë triumfin bindës ndaj Cleveland Cavaliers.

Danhausen, i njohur për personazhin e tij komik dhe “mallkimet” ndaj kundërshtarëve në mundje, është kthyer papritur në një figurë kult për tifozët e Knicks. Shumë prej tyre besojnë se ai ka ndikuar realisht në suksesin e ekipit.

“Falënderoni Danhausen që Knicks kanë arritur deri këtu”, shkroi një tifoz në rrjetet sociale, ndërsa një tjetër tha me humor se ai meriton vende të përhershme pranë parketit nëse skuadra fiton titullin.

Edhe vetë klubi duket se po e përqafon fenomenin. Knicks kanë nxjerrë në shitje bluza me sloganin “uncursed”, ndërsa ylli i ekipit, Jalen Brunson, imitoi gjestin karakteristik të Danhausen pas kualifikimit në finalen e konferencës.

Historia nisi në prill, kur Danhausen u shfaq në ESPN gjatë serisë së playoff-it kundër Atlanta Hawks. Pas një debati me komentatorin Stephen A. Smith, ai “mallkoi” Knicks-at në transmetim live. Menjëherë pas kësaj, New York humbi dy ndeshje radhazi në mënyrë surprizuese.

Një tifoz i Knicks më pas pagoi për një video personale në platformën Cameo dhe i kërkoi mundësit ta hiqte mallkimin. Danhausen pranoi dhe këtë herë e drejtoi “magjinë” ndaj Hawks.

Që nga ai moment, Knicks shpërthyen: fituan tre ndeshje radhazi kundër Atlantës, shënuan rekord franchise me 140 pikë dhe më pas eliminuan Philadelphia 76ers me rezultat të pastër 4-0.

Kulmi erdhi në finalen e Konferencës Lindore, kur Knicks përmbysën një disavantazh prej 22 pikësh kundër Cavaliers, duke habitur gjithë NBA-në.

Tifozët e New York-ut e kanë përqafuar me lehtësi idenë e një force mbinatyrore, pasi klubi nuk ka fituar titull që nga viti 1973 dhe ka kaluar dekada krizash, skandalesh dhe dështimesh.

Në sportin amerikan, “mallkimet” janë pjesë e folklorit. Shembulli më i famshëm është “Mallkimi i Bambinos”, që thuhej se ndoqi Boston Red Sox për 86 vite pasi shitën legjendën Babe Ruth te Yankees. Një tjetër është “Mallkimi i Dhisë” që për dekada besohej se pengonte Chicago Cubs të fitonin titullin.

Tani, tifozët e Knicks shpresojnë se Danhausen mund të jetë “fati i mirë” që skuadrës i ka munguar për më shumë se pesë dekada. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement