Një rast i dhunës në familje është raportuar në Gjakovë, ku një i ri dyshohet se ka kërcënuar bashkëshorten e tij pas mosmarrëveshjeve lidhur me vazhdimin e lidhjes dhe procesin e shkurorëzimit.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari, M. S, dyshohet se përmes telefonit e ka kërcënuar viktimën duke i thënë se do t’ia publikojë fotografitë dhe videot në rrjete sociale.
Përveç kërcënimeve, ai dyshohet se e ka ofenduar viktimën edhe me fjalë të ndryshme fyese.
Sipas informacioneve fillestare, mes palëve nuk ka pasur kontakt fizik, ndërsa viktima nuk ka pësuar lëndime trupore dhe nuk ka kërkuar trajtim mjekësor.
Fillimisht, i dyshuari nuk kishte arritur të lokalizohej nga Policia, mirëpo pas veprimeve operative hetimore ai është gjetur më 25 maj dhe është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës sipas detyrës zyrtare.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar rasti “Dhunë në familje”, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.