Flotilja e radhës dhe broçkullat e mangësitë shoqëruese - Gazeta Express
string(55) "flotilja-e-radhes-dhe-brockullat-e-mangesite-shoqeruese"

Lajme

Gazeta Express

26/05/2026 14:32

Flotilja e radhës dhe broçkullat e mangësitë shoqëruese

Lajme

Gazeta Express

26/05/2026 14:32

Shkruan: Genc Pollo

Flotilja që lundroi së fundmi nga Turqia për në Gaza u bë lajm në mediat tona mbasi në të mori pjesë edhe shtetasi shqiptar B.G. Kjo ishte e gjashta flotilje e nisur në 12 muajt e fundit nën sloganin “të ndihmojmë gazalinjtë” me afro 500 pjesëmarrës turq, arabë, e të tjerë nga Europa dhe bota.

Në të gjitha rastet flotilistët refuzuan apelet e qeverive të tyre që ndihmat t’u a dorëzonin Caritasit, Kryqit të Kuq apo ndonjë tjetër organizate humanitare dhe të evitonin lundrimin e rrezikshëm dhe konfrontimin me flotën luftarake izraelite, e cila nuk lejon hyrjen e “misioneve” të tilla në ujërat territoriale. Për më tepër, që nga armëpushimi i tetorit 2025 dhe masave të Bordit të Paqes nuk ka kufizim për hyrjen e ndihmave në Gaza, dhjetëra agjenci humanitare e private kryejnë përditë furnizime masive dhe i vetmi problem është Hamasi terrorist që zapton mallrat dhe arkëton me dhunë 10-15% të vlerës së shitjes. Gjithashtu, me Bordin e Paqes që nga vjet kemi një marrëveshje politike dhe një strukturë institucionale të udhëhequr nga SHBA e që përfshin Izraelin, palestinezët, shtetet arabe e deri te Turqia si dhe Europën, përfshi Shqipërinë. E vetmja pengesë për zbatimin e marrëveshjes aktualisht vjen nga Hamasi terrorist, që po delnga fjala e po vonon apo po refuzon çarmatimin.

Asgjë nga sa më lart nuk u hyn në sy flotilistëve ku gjen të dyshuar për lidhje me Hamasin, aktivistë fanatikë, personazhe që kërkojnë vëmendje dhe plot idiotë të dobishëm; konflikti i stisur me Izraelin i përdorur më pas për propagandë delegjitimuese është qartazi synimi i organizatorëve të flotiljeve. Për inerci, flotilistët e deportuar nga Izraeli në Spanjë e në Greqi provokuan policinë e aeroportit duke shkaktuar dhunë e katrahurë.

Të imagjinojmë për një sekondë se u riaktivizua konflikti i vjetër mes ushtrisë turke dhe separatistëve kurdë (PKK) që në të shkuarën solli dhjetëra mijë civilë të vrarë; në këtë skenar të padëshiruar psh., rreth qytetit-port me popullsi kurde Mersin, Turqia vendos gjendjen e jashtëzakonshme dhe pastaj flotilistë prokurdë, antiturq etj., nisen me anije gjoja për të dërguar ushqime në Mersin, por në fakt, për t’u konfrontuar me diatikisht me flotën turke. A nuk do t’i ndalonte Turqia ata në det të hapur? Me siguri po! A do të kishim të njëjtin reagim në botë në këtë situatë të ngjashme? Nuk e di.

Kësaj radhe një skenë e shëmtuar u vërejt në Izrael ku politikani ekstremist BenGvir, në fushatë parazgjedhore, u shfaq në mes të flotilistëve të arrestuar në skena poshtëruese. Ai njihet për gjuhën e urrejtjes ndaj arabëve myslimanë e të krishterë, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë hebrenj; sjellja e tij u dënua nga qeveria izraelite.

Ashtu si shumë qeveri europiane, edhe Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë apeluan për trajtim të kujdesshëm, dinjitoz dhe për lirim të flotilistëve të arrestuar. Madje, MPJ disa ditë rresht bëri thirrje për kujdes ndaj e lirim të BG në një mase shproporcionale me raste të ngjashme më herët. Edhe institucione të tjera pa kompetencë ligjore jashtë vendit ju bashkuan korit “Shpëtoni flotilistin BG!”.

Ka një dallim në dukje të vogël, por realisht domethënës: po të marrim shembullin pozitiv të qeverisë së Francës, e cila dihet se është më afër palestinezëve se Izraelit, vërejmë një qortim publik për flotiljet si nismë problematike e me rreziqe si dhe thirrje publike e private flotilistëve francezë që të mos merrnin pjesë në këto nisma me pasoja serioze. Asgjë të tillë nuk pamë e dëgjuam nga MPJ jonë. Dhënia e shërbimeve konsullore është detyrë e shtetit ndaj qytetarëve shqiptarë, si për veprime administrative ashtu edhe për të pandehur për vepra penale. Por parandalimi i problemeve është më i dobishëm se trajtimi i tyre. Një dekadë më parë qeveria “Rama” e injoroi ikjen në Siri të një kategorie burrash shqiptarë, të joshur me propagandë e para, në shumë raste me familjet e tyre, për të luftuar në radhët e shtetit islamik DAESH. Mbasi dëmi ishte bërë, qeveria u kujtua të ndryshonte Kodin Penal me dënime përkatëse. Ndërkohë, pothuaj të tërë vullnetarët shqiptarë të DAESH-it u vranë nga bombat e amerikanëve dhe plumbat e kurdëve, ndërsa familjet e tyre dergjen ende në kampe përqendrimi si Al Hol. Prandaj lipset të nënvizojmë se në këto raste profilaksia është e preferueshme ndaj ilaçit. Sidomos kur ilaçi merr formën e solidaritetit miop e të pseudopatriotizmit siç ndodhi herën e fundit.

* Autori, President i Paneuropa-Shqipëri

Advertisement
Advertisement
Advertisement