Vushtrria është shpallur kampione e Ligës së Parë, duke e mbyllur sezonin në vendin e parë.
Skuadra e drejtuar nga Armend Dallku fitoi ndeshjen e xhiros së fundit ndaj Vëllaznimit – ndeshje e madhe për një vend në Superligë.
Vushtrriasit fituan 3-1, duke u rikthyer nga disavantazhi prej 1-0.
Dardan Jashari shënoi për 1-0 për Vëllaznimin në pjesën e parë.
Megjithatë, me të filluar pjesa e dytë, Vushtrria mori gjithçka në dorë, dhe shënoi tre gola për të marrë fitoren e madhe të kampionit.
Urim Statovci e barazoi në 1-1 rezultatin në minutën e 60-të të ndeshjes.
Nga pika e bardhë disa minuta më vonë, Vushtrria shënoi prapë me anë të Statovcit, për 2-1.
Erjon Krasniqi shënoi më pas për 3-1, dhe për tri pikët e mëdha të Vushtrrisë në këtë përballje të madhe.
Me këtë fitore, Vushtrria e mbylli sezonin në vendin e parë, me 75 pikë në Ligën e Parë dhe pas gjashtë sezonesh mungesë, do të rikthehet në Superligën e Kosovës.
Ndërkohë, Vëllaznimi ka mbetur edhe pa barazh, pas kësaj humbjeje.
Skuadra gjakovare e mbyll këtë edicion në vendin e gjashtë në Ligën e Parë, me 70 pikë të tubuara./GazetaExpress/