FC Barcelona po vazhdon të kërkojë një sulmues qendror të nivelit të lartë pas largimit të Robert Lewandowski. Golat e polakut gjatë katër viteve në “Camp Nou” ndihmuan klubin katalanas të fitojë, mes tjerash, tre La Liga dhe një Copa del Rey, duke lënë pas një trashëgimi të madhe në repartin ofensiv.
Pikërisht për këtë arsye, te Barcelona ekziston bindja se duhet patjetër një “nueve” i kalibrit të lartë për të mbushur boshllëkun që ka mbetur. Edhe pse klubi është i vetëdijshëm për vështirësitë e merkatos, drejtuesit janë të gatshëm të ulin nivelin e kërkesave vetëm nëse objektivat kryesorë bëhen të paarritshëm.
Në krye të listës së dëshirave ndodhen tre emra të mëdhenj: Julián Álvarez (Atlético Madrid), João Pedro (Chelsea) dhe Harry Kane (Bayern Munich).
Në rastin e Harry Kane, në Barcelonë pranohet se operacioni është shumë i komplikuar. Sulmuesi anglez po kalon një formë të shkëlqyer te Bayern Munich, ku ka fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë dhe ka arritur deri në gjysmëfinale të Champions League. Ai ka kontratë deri në vitin 2027 dhe për momentin nuk ka sinjale për largim.
Te Barça, më shumë shpresa kanë për Julian Álvarezin dhe João Pedron. Megjithatë, burime nga klubi pranojnë se as Atlético Madrid dhe as Chelsea nuk kanë shfaqur gatishmëri për shitje, ndërsa ende nuk është bërë asnjë ofertë zyrtare.
Në rastin e Álvarezit, sulmuesi argjentinas ka lënë të hapur mundësinë e largimit në disa raste, pavarësisht kontratës afatgjatë deri në vitin 2030. Barcelona i ka bërë të ditur se do të lëvizte për të nëse Atlético hap derën për një transferim. Plani financiar i katalanasve për një “nueve” të madh është rreth 100 milionë euro.
Situata mbetet e hapur, pasi edhe Paris Saint-Germain dhe Arsenal janë të interesuara për Álvarezin. PSG madje ka më shumë fuqi financiare për të bindur Atleticon, ndërsa Arsenali gjithashtu e ka në listën e tij të objektivave.
Në krahun tjetër, Barcelona vazhdon të mbajë të hapura të gjitha opsionet dhe nuk ka hequr dorë nga asnjë prej tre emrave kryesorë, duke e konsideruar Álvarezin si profilin ideal për sistemin e Hansi Flick.
Në Camp Nou ekziston edhe një listë alternative sulmuesish, por ajo ende nuk është aktivizuar plotësisht. Megjithatë, në klub theksohet se merkatoja është e gjatë dhe hierarkia e objektivave mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve të javëve në vijim.