Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, foli për luftën në Iran, duke thënë se ka pasur “disa përparime të vogla” në bisedimet me Tehranin.
“Nuk dua ta ekzagjeroj, por ka pasur pak lëvizje dhe kjo është gjë e mirë. Parimet bazë mbeten të njëjta. Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore, thjesht nuk mundet”.
Ai tha se Shtetet e Bashkaura duhet të “trajtojë çështjen e uraniumit shumë të pasuruar” dhe të rikthejë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
“Irani po përpiqet të krijojë një sistem tarifimi. Ata po përpiqen të bindin edhe Omanin që t’u bashkohet në këtë sistem tarifash në një rrugë ujore ndërkombëtare. Nuk ka asnjë vend në botë që duhet ta pranojë këtë”.
Ai tha se SHBA-ja ka një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB’së, për të cilën po punon së bashku me Bahreinin dhe që ka “numrin më të madh të bashkësponsorëve nga çdo rezolutë tjetër e paraqitur ndonjëherë para Këshillit të Sigurimit.”
“Fatkeqësisht, disa vende në Këshillin e Sigurimit po mendojnë ta vënë veton ndaj saj. Kjo do të ishte për të ardhur keq. Megjithatë, ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të arritur konsensusin global të nevojshëm për ta parandaluar këtë, dhe po përpiqemi të përdorim Kombet e Bashkuara. Të shohim nëse Kombet e Bashkuara ende funksionojnë”.
Ai shtoi se “pothuajse çdo vend” i përfaqësuar në NATO është nënshkruar si bashkësponsor dhe shpreson që edhe disa të tjerët “së shpejti do ta bëjnë.”
Në fund, ai e mbylli me një ton disi optimist, duke thënë se shpreson për “një takim të mirë sot” që do të “vendosë bazat për takimin e liderëve pas rreth gjashtë javësh.”