A mund ta “resetojë trurin” dëgjimi i këngëve të akorduara në frekuencën 432Hz? Kjo është një nga pretendimet që po qarkullon së fundmi në TikTok, ku disa përdorues thonë se kjo frekuencë ndikon drejtpërdrejt në trup, qetëson mendjen dhe rikthen ekuilibrin e energjisë.
Sipas disa videove virale, 432Hz “rezonon natyrshëm” me trupin, tokën dhe natyrën. Të tjerë pretendojnë se kjo frekuencë ul kortizolin, qetëson sistemin nervor dhe e çon trurin në një gjendje paqeje të thellë. Madje, disa e përshkruajnë si një lloj “piruni akordues për ADN-në”.
Por shkencëtarët janë shumë më të kujdesshëm ndaj këtyre pretendimeve.
Dr. Sandra Garrido, psikologe e muzikës në Universitetin e Sidneit, shkruan në The Conversation se edhe pse muzika në 432Hz mund t’u duket qetësuese disa njerëzve, nuk ka prova shkencore se ajo sjell ndonjë “harmonizim kozmik” apo efekt të veçantë mbi trurin.


Ideja se frekuenca të caktuara mund të përmirësojnë shëndetin nuk është e re. Që nga grekët e lashtë e deri te mendimtarët e Rilindjes, janë hedhur teori mbi lidhjen mes tingullit, trupit dhe mirëqenies. Megjithatë, sipas Dr. Garrido, nuk ka mbështetje të fortë shkencore për idenë se një frekuencë specifike ka fuqi të veçanta shëruese.
Ajo shpjegon se ndikimi i muzikës në mirëqenie lidhet më shumë me mënyrën se si njerëzit e përjetojnë dhe e interpretojnë tingullin, sesa me një frekuencë të vetme “magjike”.
Ka disa prova se sistemet fiziologjike të trupit, si frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës, mund të sinkronizohen me ritmin që dëgjojmë. Kjo mund të ndihmojë në uljen e nivelit të aktivizimit ose vigjilencës. Për këtë arsye, shumë njerëz tërhiqen nga muzika më e ngadaltë dhe më e qetë kur duan të relaksohen, pasi ritmi i saj mund të ngadalësojë frymëmarrjen dhe rrahjet e zemrës, duke krijuar ndjesi qetësie apo përgjumjeje.
Atëherë, pse disa njerëz e ndiejnë 432Hz si më qetësuese?
Sipas Dr. Garrido, kjo lidhet kryesisht me preferencat individuale dhe perceptimin personal. Truri ynë shpesh i interpreton tingujt si shprehje të gjendjeve emocionale. Kur njerëzit janë të relaksuar, zëri i tyre zakonisht ka tonalitet më të ulët sesa kur janë të emocionuar apo të shqetësuar. Për këtë arsye, notat më të ulëta mund të perceptohen si më qetësuese se notat më të larta.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se 432Hz ka ndonjë fuqi të veçantë. I njëjti efekt mund të arrihet edhe me muzikë tjetër që ka tonalitet më të ulët, ritëm më të ngadaltë ose atmosferë më qetësuese.*
@1.minute.reset1 The Golden Ratio isn't just a visual pattern—at 432Hz, it becomes a frequency you can feel. Known as the "natural tuning" of the universe, this frequency is mathematically consistent with the Golden Ratio and the heartbeat of the Earth itself. 🌍 432Hz vibrates in harmony with your biology to lower cortisol and pull your brain into a state of deep, centered peace. It’s a literal tuning fork for your DNA. Tune out the noise and tune into the math of creation. 🐚🌌 #432hz #goldenratio #frequencyhealing #sacredgeometry #manifestation ♬ original sound – banahwinn
Nëse qëllimi është relaksimi, ekspertja këshillon që njerëzit të përqendrohen te mënyra se si muzika i bën të ndihen, jo te numri i frekuencës.
Vini re cilët tinguj ua ngadalësojnë frymëmarrjen, ua çlirojnë trupin apo ua përmirësojnë humorin. Kur bëhet fjalë për mirëqenien, ajo që funksionon për ju është më e rëndësishme sesa pretendimet virale për një frekuencë të caktuar. /GazetaExpress/