Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, i është drejtuar me në një letër udhëheqësve të Bashkimit Evropian, ku ndër tjerash shkruhet se, Ukraina duhet të marrë një “Anëtarësim të asociuar” në BE si një hap vendimtar në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë, ndërsa Ballkani Perëndimor dhe Moldavia gjithashtu mund të afroheshin më shumë me BE-në dhe procesi i tyre i pranimit të përshpejtohet. Anëtarësimi i plotë në BE i vendeve aktuale kandidate duhet të mbetet qëllimi përfundimtar, por se procesi zgjat “shumë gjatë”, prandaj, kancelari gjerman kërkon “zgjidhje inovative”.
Letra, e cila u pa nga European Western Balkans, iu dërgua Presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidentit të Qipros, Nikos Christodoulides, i cili aktualisht mban presidencën e Këshillit të BE-së, raporton EWB, përcjell Gazeta Express.
Në letër, Merz propozon një dinamikë të re të pranimit në BE për kandidatët aktualë – Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë. Kjo sepse, siç shkruan ai, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një nevojë gjeopolitike, por gjithashtu një proces që zgjat “shumë gjatë”.
Kancelari gjerman pohon se Bashkimi Evropian duhet të qëndrojë i vendosur në premtimin e tij që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund të bashkohen me BE-në.
“Sugjeroj që të shqyrtojmë zgjidhje inovative edhe për ato vende kandidate që kanë qenë duke u përgatitur për pranimin e tyre për një kohë të gjatë, dhe të përshpejtojmë gjithashtu procesin e tyre të pranimit. Së bashku me kolegët, do të vazhdoj të punoj për këtë,” shkruan Merz.
Ai propozon që BE-ja të mund të parashikojë gjithashtu për këto vende hapa të konsiderueshëm drejt anëtarësimit, me shembull, akses të privilegjuar në Tregun e Brendshëm dhe lidhje më të afërta me institucionet evropiane në procesin e vendimmarrjes së përditshme.
“Integrimi gradual mund të vendoset duke krijuar blloqe që mund të jenë baza për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikës, dhe pastaj të shoqërohet me rritjen e mbështetjes në procesin e zbatimit të acquis. Për më tepër, ne mund të forcojmë integrimin institucional të përmendur më sipër mbi bazën e përparimit substancial. Të gjitha këto mund të afrojnë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe kështu të nxisin një ambicie të re për reforma të mëtejshme të nevojshme për të arritur anëtarësimin e plotë,” shkroi Merz.
Në pjesën e parë të letrës, duke u përqendruar te Ukraina, Merz propozon një model “Anëtarësimi të asociuar”. Ndërsa është e qartë se Ukraina duhet të bëhet një shtet anëtar i plotë, sipas Merz, procesi i pranimit nuk do të përfundojë në kohë të shkurtër.
“Megjithatë…, nuk kemi kohë për vonesa të mëtejshme. Tani është koha të ecim me guxim përpara me integrimin e Ukrainës në BE përmes zgjidhjeve inovative si hapa të menjëhershëm,” shkruan ai, transmeton Gazeta Express.
Statusi si Shtet Anëtar i Asociuar për Ukrainën mund të përfshijë pjesëmarrjen në punën e institucioneve të Bashkimit Evropian pa të drejtë vote. Mund të përfshijë gjithashtu zbatimin hap pas hapi të legjislacionit të BE-së dhe angazhimin buxhetor dhe politik nga Shtetet Anëtare për të krijuar një “garanci të konsiderueshme sigurie” për Ukrainën.
Kjo propozim do të “ngrejë disa pyetje mbi realizueshmërinë politike, teknike dhe ligjore”, por gjithashtu do të ndihmojë në lehtësimin e bisedimeve të paqes që janë në vazhdim si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar të paqes, shkroi Merz.
Java e kaluar, pesë shtete anëtare të BE-së shpërndanë një dokument konfidencial ndër vendet e tjera të Bashkimit Evropian, duke propozuar një “akses të bazuar në merita – nëse është e nevojshme, hap pas hapi – në tregun e vetëm evropian” si një mënyrë për të ruajtur ritmin e zgjerimit. Letra e Friedrich Merz është për këtë arsye një kontribut tjetër në diskutimet e fundit mbi zgjerimin brenda BE-së.