Saktësisht tri dekada pas trofeut të fundit të madh, Aston Villa i dha fund pritjes 44-vjeçare për lavdi evropiane, duke mposhtur bindshëm SC Freiburgun 3-0 në finalen e UEFA Europa League në “Besiktas Park”.
Me këtë humbje, skuadra gjermane vazhdon të presë trofeun e parë madhor në historinë e saj.
E veshur krejtësisht me të bardha, si nderim për heronjtë e triumfit në Kupën e Evropës të vitit 1982, Villa nisi fuqishëm dhe i mjaftuan vetëm dy minuta për të regjistruar goditjen e parë në portë. Morgan Rogers provoi me një goditje të fortë, duke e detyruar Noah Atubolun të bënte një pritje të rëndësishme në fillimin e finales së parë evropiane në historinë e Freiburgut.
Pak më vonë, Nicolas Höfler pati rastin e parë serioz për skuadrën gjermane, por goditja e tij me të majtën përfundoi jashtë portës së Emiliano Martínezit.
Në fundin e pjesës së parë, Aston Villa tregoi forcën e saj me dy gola brenda shtatë minutash. Fillimisht, skuadra angleze realizoi pas një skeme të punuar mirë nga këndi. Rogers mori topin pas një goditjeje të shkurtër nga këndi, ndërsa lojtarët e Villas në zonë bllokuan mbrojtësit për t’i krijuar hapësirë Youri Tielemansit. Mesfushori belg e shfrytëzoi në mënyrë perfekte krosimin, duke shënuar me një vole të ulët dhe të saktë për ta mposhtur Atubolun.
Goli i bukur i Tielemansit u zbeh pak çaste më vonë nga realizimi spektakolar i Emiliano Buendías në kohën shtesë të pjesës së parë. Argjentinasi u kthye shpejt në hyrje të zonës dhe goditi me precizion drejt këndit të largët, duke shkaktuar shpërthim feste te tifozët e Aston Villas në anën tjetër të stadiumit.
Nëse ëndrrat evropiane të Freiburgut nuk ishin shuar para pushimit, ato u goditën përfundimisht pak para minutës së 60-të. Rogers shënoi golin e tretë të Villas, duke u shkëputur nga mbrojtësi i tij dhe duke devijuar topin në rrjetë pas një harkimi të ulët të Buendías.
Goli i tretë i Rogers në Europa League e detyroi trajnerin Julian Schuster të bënte dy zëvendësime, por ishte tepër vonë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Aston Villa kërcënoi edhe për golin e katërt përmes Buendías dhe më pas John McGinnit, ndërsa Freiburgu arriti vetëm ta mbante humbjen në shifrat 3-0.
Për tifozët e Aston Villas, kjo pak rëndësi kishte. Ata festuan një trofe të madh evropian, në një sezon ku skuadra e mbylli edhe në pesëshen e parë të Premier League. Për Unai Emeryn, ky ishte triumfi i pestë në Europa League, duke e forcuar edhe më shumë statusin e tij si mjeshtër i këtij kompeticioni. /GazetaExpress/