Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore ndaj 44-vjeçarit Rezart Abazaj, i cili rrezikoi jetën e efektivëve të policisë gjatë një ndjekjeje të tensionuar në lagjen 17 të Durrësit.
Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”, duke e konsideruar të lartë rrezikshmërinë e tij dhe mënyrën agresive të sjelljes ndaj uniformave blu. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 16 majit, vetëm pak ditë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën dy fëmijë në të njëjtën zonë, raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi.
Për këtë arsye, policia rrugore kishte shtuar kontrollet për drejtuesit e automjeteve që lëviznin në gjendje të dehur. Sipas dëshmisë së komandantit të shërbimit rrugor, specalistit F. H., rreth orës 19:45 efektivët kanë konstatuar një automjet “Ford Focus” pa targa, që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të çrregullt në rrugicat e lagjes.
Pavarësisht sinjalit të policisë për të ndaluar, drejtuesi ka shtuar shpejtësinë dhe është futur në rrugët e brendshme të zonës, ndërsa patrulla i është vënë në ndjekje. Pas disa minutash, automjeti ka ndaluar për pak çaste në rrugën “Nikolin Xhoja”.
Në momentin kur komandanti i policisë është afruar për t’i kërkuar shoferit të fikte mjetin, 44-vjeçari ka shtypur gazin, duke e tërhequr efektivin dhe duke i dëmtuar dorën. Situata është përshkallëzuar edhe më tej. Sapo punonjësi i policisë u rikthye pranë mjetit të tyre, drejtuesi i “Ford”-it ka lëvizur me shpejtësi mbrapsht dhe është përplasur fort me automjetin e policisë, duke shkaktuar dëme të shumta dhe hapjen e airbag-ëve.
”Rreth orës 19:45, në drejtimin e tyre është afruar një mjet Ford Fokus, me ngjyrë gri, pa targa, i cili ecte në mënyrë të çrregullt dhe me shpejtësi. Pasi u afrua më shumë, i kanë bërë shenjë ndalimi me tabelë, por ky mjet nuk ka ndaluar por ka shtuar shpejtësinë dhe është largua nëpër rrugicat e L. 17/1. Në këto kushte punonjësit e policisë së qarkullimit i janë vënë në ndjekje me mjetin e policisë me targa …. Pas disa minutash ndjekje, në rrugën ”Nikolin Xhoja”, kanë sinjalizuar me sirena mjetin Ford për të ndaluar dhe për një moment ai ka ndaluar, ndërkohë që punonjësi i policisë F.H. ka zbritur për të komunikuar me drejtuesin nga krahu i pasagjerit duke i bërë thirrje drejtuesit që të fikë mjetin dhe ta sigurojë atë.
Drejtuesi nuk e ka dëgjuar duke bërë shenja që donte të largohej. Në këtë moment punonjësi i policisë i ka hapur derën e pasagjerit po drejtuesi i ka dhënë gaz mjetit, duke e tërhequr punonjësin e policisë dhe dëmtuar në dorën e djathtë. Për inerci ai ka tërhequr dorën dhe drejtuesi shtetasi Rezart Abazaj ka vazhduar lëvizjen drejt për disa metra. Në këtë moment komandanti ka njoftuar me radio sallën duke kërkuar përforcime dhe pikërisht sapo futej tek mjeti i policisë, drejtuesi i Fordit shtetasi Rezart, ka ecur mbrapsht me shpejtësi, me gaz në maksimum dhe ka goditur fort mjetin e policisë, duke shkaktuar shumë dëme derisa janë hapur edhe airbag-ët. Plastika e parakolpit që është spostuar e ka goditur në këmbën e djathtë duke e dëmtuar punonjësin e policisë. Në këto kushte punonjësit e policisë kanë neutralizuar drejtuesin.”, thuhet në materialin e prokurorisë të dorëzuar në gjykatë.
Sipas hetimeve, 44-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë arrestimin, duke tentuar të largohej dhe duke shtyrë punonjësit e policisë gjatë neutralizimit. Në zonë ndodheshin edhe shumë fëmijë që po luanin pranë rrugës, çka sipas hetuesve e bënte situatën edhe më të rrezikshme. Testi i alkoolit tregoi se Rezart Abazaj drejtonte automjetin me 1.4 mg/l alkool, dhe në matjen e dytë ka rezultuar 1.35 mg/l ndërsa verifikimet zbuluan se ai nuk ishte i pajisur me leje drejtimi. Po ashtu, rezulton përsëritës për të njëjtën vepër penale, pasi edhe më 5 mars ishte arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Në argumentimin e saj, prokurorja Kurti vlerësoi para Gjykatës se masa “arrest në burg” ishte e domosdoshme për shkak të rrezikshmërisë së autorit, nivelit të lartë të alkoolit, përsëritjes së veprës penale dhe dhunës ndaj punonjësve të policisë. Sipas organit të akuzës, çdo masë më e lehtë sigurie do të ishte e pamjaftueshme për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme./TCh/